Lajme

Ky është vendimi i Gjykatës për ish prokurorin Ali Rexha

07/21/2022 14:29
nga:N M

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën për caktimin e masës së ndalimit për afrimin e vendit apo personit të caktuar në kohëzgjatje prej një muaji ndaj ish-prokurorit Ali Rexha, i dyshuar për kanosjen e prokurorit Lulzim Sulejmani.

Këtë vendim e ka konfirmuar zyrtarja për informim e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Ndryshe, ish-prokurori Rexha ishte arrestuar të mërkurën nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Kanosja”.
Njoftimi:

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm Penal pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë kundër të pandehurit A.R për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Kanosja nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ka vepruar sipas kërkesës për caktimin e masës Ndalimi për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar Prokurorit të Shtetit në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Gjyqtarja e procedurës paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e prokurorit të shtetit dhe të pandehurit A.R i ka caktuar masën e sigurisë Ndalimi për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, në kohëzgjatje prej një muaji.

Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.