Në Raportin e Lumturisë në Botë nuk ishte befasi të shihje se vendet skandinave si Finlanda, Danimarka, Islanda dhe Suedia vazhdojnë të kryesojnë listën.
Por, për moshat nën 30 vjeç, Finlanda nuk është vendi më i lumtur në botë.
Ata kanë një mendim tjetër, pasi kanë votuar për Lituaninë.
“Lituania rifitoi pavarësinë e saj jo shumë kohë më parë, ishte viti 1990. Kjo do të thotë se të rinjtë nën 30 vjeç e kanë kaluar jetën e tyre tërësisht në Lituani të pavarur, ndërsa grupmoshat e tjera kanë përjetuar realitetin e ashpër të Bashkimit Sovjetik”, tha Antanas Kairis, një profesor i asociuar në Departamentin e Psikologjisë së Përgjithshme në Universitetin e Vilnius.
Gjatë tre viteve të fundit, vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore kanë tejkaluar disa nga fqinjët e tyre të Evropës Perëndimore në lumturinë e përgjithshme, sipas sondazhit.
Përveç Lituanisë, si shtete të lumtura konsiderohen të jenë edhe Republika Çeke, Sllovenia e Rumania.