Lajme

Ky është orari i ri për punën e kafiterive sipas vendimit të qeverisë

10/23/2021 17:24
nga:M K

Me vendimin e qeverisë së re për masat anti-Covid ka ndryshuar edhe orari i shërbimeve të gastronomisë dhe do të lejohen të zhvillojën aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 23:00.

Sipas këtij vendimi, stafi dhe klientët e gastronomisë duhet të kenë dëshminë e vaksinimit me të dy dozat e vaksinës ose testin e shpejtë për COVID-19 negativ jo më të vjetër se 72 orë.

Klientët brenda duhet të jenë të ulur gjatë gjithë kohës përveç gjatë hyrjes ose daljes nga lokali, derisa paguan porosinë, gjatë shkuarjes ose kthimit nga tualeti dhe kur është e nevojshme për qëllime të shëndetit dhe sigurisë.

Muzika do të lejohet vetëm deri në orës 21:30.

Këto janë rregullat e reja:

Gj. [Gastronomia]

33. Shërbimet e gastronomisë lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre. Klientët dhe stafi i gastronomisë duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë sipas pikës 2.1 deri 2.4 në mënyrë që t’u lejohet hyrja në hapësirat e mbyllura të lokaleve, në përputhje me udhëzuesin përkatës.

34. Në lokalet e gastronomisë është e obliguar të caktohet një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.

35. Shfrytëzimi i hapësirave të mbyllura lejohet deri në 50% e kapacitetit të hapësirës. Në hapësirat e hapura lejohet shfrytëzimi deri në 70% e kapacitetit të hapësirës. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet.

36. Kuptimi i shprehjes ‘hapësirë e hapur’ dhe ‘hapësirë e mbyllur’ ka të njëjtin kuptim me Ligjin Nr. 04/L-156 për Kontrollin e Duhanit.

37. Klientët duhet të qëndrojnë ulur në çdo kohë në kuadër të lokaleve të shërbimeve të gastronomisë në të cilën lejohet shërbimi i ushqimit apo pijeve, përveç:

37.1. Gjatë hyrjes apo daljes nga ambienti i lokalit;

37.2. Ndërsa paguan porosinë;

37.3. Gjatë shkuarjes apo kthimit nga tualeti;

37.4. Kur është e nevojshme për qëllime të shëndetit dhe sigurisë.

38. Në rastet nga pika 37.1 deri 37.4 është e obliguar bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën.

39. Shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 23:00.

40. Muzika lejohet vetëm deri në orën 21:30.

41. Përgjegjësit e lokaleve duhet të sigurohen që distanca ndërmjet klientëve në tavolina të ndryshme të jetë së paku një (1) metër.

42. Pjesa e prapme e një karrigeje, me pjesën e prapme të karriges tjetër duhet jenë në distancë së paku një (1) metërshe.

43. Në hapësirat e mbyllura lejohen deri në 4 persona në tavolinë. Në rast se tavolinat janë më të mëdha se dy (2) metra, atëherë parakusht është kufizimi prej pesë (5) persona në 10 m2.

44. Në hapësirat e jashtme lejohen deri në gjashtë (6) persona në tavolinë apo banak.

45. Çdo tavolinë duhet të jetë e pajisur me dezinfektues që përmbajnë së paku 60% alkool.

46. Shërbimi “dërgesë me porosi” lejohet të funksionojë edhe pas orës 22:30, pas pajisjes me leje të veçantë nga sistemi EDI (ATK).