Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Bashkim Nurbojën dhe Nora Latifi-Jasharin anëtarë joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK).
Në votimin e zhvilluar gjatë seancës së sotme të Kuvendit morën pjesë gjithsej 67 deputetë, ndërsa dy fletëvotime u shpallën të pavlefshme.
Nga numërimi i votave, Bashkim Nurboja mori 56 vota, ndërsa Nora Latifi-Jashari siguroi 61 vota, duke u përzgjedhur kështu për pozitat e anëtarëve joekzekutivë të Bordit të BQK-së.
Ndërkohë, kandidatët e tjerë, Xhemal Gashi dhe Burim Latifi, nuk arritën të siguronin votat e nevojshme. Gashi mori vetëm 4 vota, ndërsa Latifi 8 vota.
Pas përfundimit të procesit të votimit, u bë e ditur se vendimi i Kuvendit do t’i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për emërimin e dy anëtarëve të rinj të Bordit të Bankës Qendrore.
Përzgjedhja e dy anëtarëve joekzekutivë ishte një nga pikat e rendit të ditës në seancën e Kuvendit të Kosovës.


