Si një vend anëtar i NATO-s edhe Shqipëria ka pranuar dhe ka dhënë “ok” anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë me procedurë të përshpejtuar në aleancë.
E pranishme në Kuvend ishte dhe ambasadorja e Suedisë në Shqipëri, Elsa Hastad e cila e priti vendimin me dorë në zemër dhe duke iu përulur deputetëve.
Sot në Kuvend 114 deputetë kanë votuar pro dhe asnjë kundër.
Në fund të seancës plenare, deputeti socialist Pandeli Majko, foli me tone të ashpra në lidhje me miratimin e protokolleve të NATO-s për aderimin e Suedisë dhe Finlandës në Aleancë.
Majko e cilësoi si një akt solidariteti që tregon se kush prek sovranitetin e tyre ka prekur edhe Shqipërinë. Ai shtoi se ky akt ishte akti më i rëndësishëm që ky parlament ka marrë sot.
“Dua të bëj një koment të shkurtër. Mendoj se akti i sotëm i parlamentit për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO nuk është vetëm moment kolektiv, por akt i mirëfilltë solidariteti. Kush prek sovranitetin e tyre, prek edhe Shqipërisë.
Federata ruse po shkatërron ligjin ndërkombëtar. Ky moment kolektiv i të qëndruarit bashkë na bën edhe më të fortë. Me këtë pohim të sotëm me gjithë polarizimin politik vendimi i përbashkët është një gjest kuptimplotë dhe i rëndësishëm që ripohon qëndrimet e politikës shqiptare si anëtare e NATO-s. Ky është një nga aktet më të rëndësishme që ky parlament ka marrë sot”, tha Majko.


