Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e ka përgatitur një draft për Statutin e vet të ri mjaft të çuditshëm të cilin synon ta aprovojë në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të thirrur për t’u mbajtur më 27 janar.
Gazeta Express e ka siguruar një kopje të këtij drafti, derisa nga opozita e kryesisë aktuale e FFK-së ky draft-statut po konsiderohet si skandaloz pasi përmban shkelje të shumta dhe favorizime të tepruara për kreun aktual të FFK-së, Agim Ademi, dhe Komitetin Ekzekutiv të FFK-së.
“… kërkesa për t’iu nënshtruar kontrollit të përshtatshmërisë dhe integritetit nuk zbatohet për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv duke përfshirë presidentin e FFK-së dhe anëtarët e komisioneve të pavarura të cilat janë në funksion në momentin e miratimit të këtij Statuti, por respektohen për cilindo kandidat për pozitë në Komitetin Ekzekutiv, përshirë për president të FFK-së dhe anëtarë të komisioneve të pavarura, pas miratimit të këtij Statuti”, thuhet në pikën 7 të nenit 88 të këtij draft-Statuti.
Nëse Kuvendi i FFK-së e miraton këtë draft-Statut, atëherë anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së do t’u zgjatet mandate deri në vitin 2026, e që në fakt do të duhej t’u skadonte në vitin 2024 mandatet e fituara në vitin 2020. Pra, u shtohen dy vjet, pa mbajtur zgjedhje.
Por jo vetëm kaq. Ky draft-Statut parasheh që kryetarit Agim Ademi dhe anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së t’ua shlyej mandatet e kaluara dhe në vitin 2026, kur u përfundojnë mandatet e treta dhe atëherë të mund të mbajnë pozita edhe për tri mandate tjera të reja, pra të qëndrojnë në krye të FFK-së me dekada. Me Statutin aktual, të njëjtit nuk mund t’i ushtrojnë më shumë sesa tri mandate.
FFK-ja ende nuk është licencuar nga Ministria e Sportit e cila ka gjetur shumë parregullsi në FFK, andaj ka kërkuar korrigjimin e disa pikave të aplikacionit për t’u licencuar. Shkaku i kësaj FFK ka thirrur Kuvend për 27 janar për ndryshim të Statutit, ku Komisioni i Ministrisë ka gjetur parregullsi dhe mbetet të shihet nëse MKRS do ta pranojë këtë statut të çuditshëm, i cili tashmë duket se veç çka e ka ndezur më shumë “opozitën” e FFK-së.



