Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata Lidhjes Demokratike të Kosovës janë rikthyer në sallën e Kuvendit për vazhdimin e seancës konstituive, e cila ishte paralajmëruar të nisë në ora 14:00.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse seanca do të vazhdojë dhe nëse Kuvendi do të arrijë të konstituohet, pasi Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në vazhdimin e saj.
Seanca konstituive ishte ndërprerë më herët, pasi kandidatja e PDK-së për nënkryetare të Kuvendit, Vlora Çitaku, nuk mori votat e nevojshme nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Pas kësaj, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ndërpreu punimet, duke paralajmëruar vazhdimin e seancës më vonë.
Tash, gjysmë ore pas kohës së paralajmëruar për vazhdimin e seancës, vëmendja mbetet te zhvillimet në sallën e Kuvendit dhe nëse palët do të gjejnë një zgjidhje për vazhdimin e procesit të konstituimit.


