Lajme

Kushtrim Sadiku-Daut Haradinajt: A ka vija të kuqe për Albin Kurtin?

12/03/2025 23:05
nga:G B

Nënkryetari i AAK-së, Daut Haradinaj, ka deklaruar se në situatën aktuale politikë nuk e sheh të mundshme asnjë formë bashkëpunimi mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kryetarit të LVV-së, Albin Kurti. Ai tha se sjelljet e deritanishme të Kurtit e kanë bërë të pamundur afrimin politik.

“Unë nuk besoj. Në këto rrethana që jemi, me këto sjellje që kemi pa, nuk e shoh të mundshme në asnjë format bashkëpunimin me Albin Kurtin,” u shpreh Haradinaj në “Politiko”.

Megjithatë, ai theksoi se 30 ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për të parë se si do të zhvillohen raportet politike dhe çfarë qasjesh do të ndërmarrin palët.

“Mbetet të shihet 30 ditëshi i ardhshëm, shumë ka me qenë i rëndësishëm çfarë qasje ka me pas në të ardhmen e afërt, si do të sillën ata, si do të sillemi ne,” tha ai.

Haradinaj theksoi se shumë vendime të AAK-së varen edhe nga konsultimet me aleatët ndërkombëtarë, të cilët sipas tij kanë rol kyç në orientimin politik të Aleancës.

“Shumë vendime të Aleancës bëhen me aleatët e saj, që nuk janë shqiptarë. Ne kemi aleatë, ne ju besojmë atyre njerëzve që na kanë ba shtet, na kanë ba ushtri,” theksoi Haradinaj.

Ai shtoi se edhe veprimet e ardhshme të AAK-së do të ndikohen drejtpërdrejt nga raportet mes Kurtit dhe SHBA-së.

“Kështu që edhe veprimet në të ardhmen kanë me qenë të ndikuara nga raportet e Kurtit me SHBA-në,” përfundoi ai.