Sporti

Kushtrim Mushica: Kishte një energji të shtuar tek Kosova, por jo risi në përbërje

03/27/2024 20:02
nga:Mergim Rreci

Pas fitores së parë nën udhëheqjen e trajnerit Franco Foda, Kosova është mposhtur në ndeshjen e dytë.

”Dardanët” u mposhtën me rezultat 2:0 në Hungari, ndonëse patën një paraqitje dinjitoze në ‘Puskas Arena’.

Kosova zhvilloi një pjesë të parë më të mirë duke dominuar kundërshtarin, por njëjtë nuk ishte edhe në 45 minutat e dytë, atje ku vendasit realizuan dy gola.

Në këtë mënyrë, Franco Foda e nisi me një fitore dhe një humbje aventurën e tij tek Kombëtarja e Kosovës, gjithmonë me synime të qarta që kjo aventurë të jetë e gjatë dhe e suksesshme.

Ish portieri i Kombëtares së Kosovës, Kushtrim Mushica tha për ‘GazetaBlic Sport’, se pika më pozitive e këtyre dy ndeshjeve ishte energjia e shfaqur nga futbollistët në fushë.

Ai tha se kishte një dëshirë të madhe nga të aktivizuarit e Fodas për të dhënë maksikumin e tyre dhe për të plotësuar detyrat e dhëna nga trajneri.

Pika më pozitive në këto dy ndeshje është energjia e shfaqur nga futbollistët në fushë, me një dëshirë më të madhe për të dhënë maksimumin, por edhe për të zbatuar atë që ju ka vënë si detyrë përzgjedhësi“, tha fillimisht Mushica.

Tutje ai tha se nuk kishte ndonjë risi në përbërje, pavarësisht faktit që ka shumë futbollistë që po kalojnë në formë të mirë.

Nuk pamë ndonjë risi në përbërje, edhe pse së fundmi kemi futbollistë që po tregojnë formë të mirë, të cilët do të mund të kontribuonin për ekipin tonë. Gjithsesi, ishin dy ndeshjet e para kontrolluese, nga të cilat  më së shumti mund të përfitojë trajneri Foda“, përfundoi Mushica.

/GazetaBlic Sport/