Lajme

Kushtetuesja merr vendim për ankesën e Abelard Tahirit lidhur me shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Pavarur për SHCK-në

10/27/2021 15:04
nga:M K

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për ankesën e Abelard Tahirit dhe dhjetë deputetëve të tjerë lidhur me shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Përmes një komunikate për media, Kushtetuesja ka njoftuar se shqyrtoi pretendimet e parashtruesve të kërkesës përkitazi me masën e përkohshme dhe përgjigjen përkatëse të Kuvendit, dhe fillimisht, duke u referuar në praktikën e saj gjyqësore, sqaroi rrethanat kur aktet e Kuvendit, kushtetutshmëria e të cilave kontestohet nga dhjetë (10) a më shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës para Gjykatës, i nënshtrohen efektit pezullues, siç është përcaktuar në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese, përcjell GazetaBlic.

Më poshtë edhe vendimi i plotë.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës sot publikoi vendimin për masë të përkohshme në rastin KO 127/21, të parashtruar nga Abelard Tahiri dhe 10 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në të cilën u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit nr. 08-V-029, të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të 30 qershorit 2021, për shkarkimin e pesë (5) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Më 30 qershor 2021, Kuvendi i Republikës së Kosovës, përmes Vendimit [nr. 08-V-029], kishte miratuar rekomandimin e Komisionit të Kuvendit për Administratë Publike për shkarkimin e pesë (5) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Parashtruesit e kërkesës, përkatësisht 11 deputetë të Kuvendit të Kosovës, përmes kërkesës KO 127/21 kërkuan vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të lartcekur të Kuvendit. Në ndërkohë dhe me qëllim të vlerësimit të domosdoshmërisë për vendosjen e masës së përkohshme, Gjykata Kushtetuese kërkoi informacion nga Kuvendi për veprimet e ndërmarra pas Vendimit të kontestuar, dhe për pasojë, u njoftua nga Kuvendi, se i njëjti kishte shpallur konkurset për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit.

Parashtruesit e kërkesës para Gjykatës pretendojnë, mes tjerash, se Vendimi i kontestuar i Kuvendit, cenon pavarësinë e Këshillit, të garantuar me nenin 101 [Shërbimi Civil] dhe nenin 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, andaj kërkojnë që i njëjti të anulohet. Parashtruesit e kërkesës, për më tepër, duke iu referuar paragrafit 2 të nenit 43 (Afati) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, theksuan se, Vendimi i kontestuar i nënshtrohet efektit pezullues ex-lege lidhur me pasojat juridike, duke kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të njoftojë Kuvendin, që ndërmarrja e veprimeve për të zbatuar Vendimin e kontestuar është në kundërshtim me efektin pezullues të përcaktuar në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese.

Gjykata shqyrtoi pretendimet e parashtruesve të kërkesës përkitazi me masën e përkohshme dhe përgjigjen përkatëse të Kuvendit, dhe fillimisht, duke u referuar në praktikën e saj gjyqësore, sqaroi rrethanat kur aktet e Kuvendit, kushtetutshmëria e të cilave kontestohet nga dhjetë (10) a më shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës para Gjykatës, i nënshtrohen efektit pezullues, siç është përcaktuar në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese. Gjykata gjithashtu sqaroi se, duke pasur parasysh që Vendimi i kontestuar në aspekt procedural në mënyrë që të prodhojë pasoja juridike, nuk e parasheh dërgimin e tij tek Presidentja, i njëjti nuk i nënshtrohet efektit pezullues bazuar në nenin 43 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, dhe duke marrë parasysh që kërkesa para Gjykatës ngreh një sërë çështjesh lidhur me pavarësinë dhe funksionimin e Këshillit, si një institucion i pavarur i themeluar me Kushtetutë dhe i cili siguron respektimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë shërbimin civil, vlerësoi se është e nevojshme vendosja e masës së përkohshme sipas detyrës zyrtare, bazuar në nenin 27 (Masat e përkohshme) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe në Rregullin 56 (Kërkesa për Masë të Përkohshme) të Rregullores së Punës.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Vendimin e publikuar, duke theksuar se vendosja e masës së përkohshme nuk paragjykon pranueshmërinë ose meritat e rastit, Gjykata vendosi masën e përkohshme deri më 15 dhjetor 2021, duke pezulluar menjëherë Vendimin e kontestuar dhe duke përcaktuar që Kuvendi duhet të përmbahet nga çdo veprim lidhur me çështjen e zgjedhjes së anëtarëve të rinj deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës.