Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se vendimi i Gjykatës së Apelit ndaj parashtruesit të kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë, Sasha Milosavljeviq, i akuzuar në rastin “Brezovica 1”, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), si dhe ka refuzuar kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme.
Kjo pasi Gjykata Kushtetuese ka bërë vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktvendimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj të 12 gushtit 2022 dhe atë të 5 shtatorit 2022, të marrë nga Gjykata e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Parashtruesi Sasha Milosavljeviq sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj ngarkohet se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar”, “Marrja e ryshfetit”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe ”Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Në aktgjykimin e 15 gushtit 2023, thuhet se Prokuroria Themelore në Ferizaj-Departamenti për Krime të Rënda, kishte filluar hetimet kundër parashtruesit dhe disa personave tjerë për shkak të dyshimit se kishin marrë pjesë dhe kishin ndihmuar në kryerjen e veprës penale të lëshimit të kundërligjshëm të lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”.
Ndërkaq, më 22 dhjetor 2021, Prokuroria kishte kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës dhe të akuzuarve tjerë, ndërkaq Gjykata Themelore në Ferizaj e kishte aprovuar këtë kërkesë dhe të njëjtëve ua kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji.
Ndaj vendimit të Themelores, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, mirëpo kjo e fundit përmes aktvendimit të 11 janarit 2022 e kishte refuzuar ankesën në fjalë.
Tutje thuhet se, Gjykata Themelore në Ferizaj më 20 janar 2022 e kishte vazhduar masën e paraburgimit ndaj parashtruesit Milosavljeviq edhe për dy muaj të tjerë, kurse ndaj këtij vendimi ky i fundit kishte parashtruar ankesë të cilën Gjykata e Apelit më 2 shkurt 2022 e refuzoi si të pabazuar, duke vërtetuar aktvendimin e Themelores.
Andaj, parashtruesit Milosavljeviq i ishte vazhduar masa e paraburgimit, deri më 13 shtator 2022 nga gjykata e shkallës së parë, ndërsa pasi që ky i fundit kishte ushtruar ankesë ndaj këtij vendimi, sërish Apeli më 5 tetor 2022 e kishte refuzuar ankesën duke e vërtetuar aktvendimin e Themelores.
Në këto rrethana, parashtruesi Milosavljeviq kishte ushtruar edhe kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, e cila kërkesë ishte refuzuar përmes aktvendimit të 6 dhjetorit 2022.
”Duke pasur parasysh faktin se aktvendimi përmes të cilit të pandehurit masa e vazhduar e paraburgimit ka qenë në fuqi deri më 11.11.2022, rezulton se të njëjtit i ka skaduar afati, andaj kjo gjykatë vlerëson se kërkesa nuk mund të jetë objekt shqyrtimi dhe si e tillë është jolëndore sepse pavarësisht shkeljeve të pretenduara e kërkesës i pandehuri e ka mbajtur paraburgimin për atë kohë sa ka qenë i vazhduar me vendimin e atakuar, të cilit i ka skaduar afati. Prandaj nga sa u parashtrua më lartë dhe në kuptim të nenit 435 par. 2 të KPPK-së, u vendos si në dispozitiv të këtij Aktvendimi”, thuhet në arsyetimin e vendimit të Supremes.
Në aktgjykim thuhet se, parashtruesi i kërkesës ka pretenduar në shkelje të të drejtave dhe lirive kushtetuese të garantuara me Kushtetutë dhe se në rastin konkret është tejkaluar kohëzgjatja maksimale e paraburgimit gjyqësor e përcaktuar me ligj.
Gjithashtu, Milosavljeviq përmes kërkesës së tij ka kërkuar nga Gjykata Komerciale që t’i anulojë vendimin e 12 gushtit 2022 dhe atë të Apelit të 5 shtatorit dhe t’i mundësojë parashtruesit të kërkesës të mbrohet në liri pasi që vepra për të cilën akuzohet është e dënueshme më burgim me më shumë se 5 vite, e kjo do të thotë se paraburgimi ndaj tij mund të zgjasë më së shumti 8 muaj.
Po ashtu, parashtruesi ka pretenduar se gjykata e shkallës së parë dhe të dytë nuk i kanë kushtuar vëmendje ankesave të avokatëve, dhe shihet se në arsyetimin e vendimeve nuk është dhënë përgjigje ndaj ankesave të paraqitura, për çka rrjedhimisht mund të konsiderohet se ky paraburgimin është arbitrar.
Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se marrë parasysh faktin se rasti i parashtruesit të kërkesës është duke u zhvilluar në procedurë penale edhe efekti juridik i aktgjykimit shtrihet vetëm sa i përket caktimit dhe vazhdimit të masës së paraburgimit.
Gjykata në aktgjykim ka rikujtuar që për të qenë në përputhje me Kushtetutën dhe KEDNJ, arrestimi ose heqja e lirisë duhet të bazohet në një nga arsyet për heqjen e lirisë të parapara në nenin 29, paragrafin 1, të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 të KEDNJ-së.
Andaj, Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën parashtruesit dhe ka konstatuar se aktvendimi i Apelit i 5 shtatorit 2022 nuk është në pajtim me paragrafin 4 të nenit 29 “E drejta e lirisë dhe sigurisë” i Kushtetutës dhe në lidhje me paragrafin 4 të nenit 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në këto rrethana, Kushtetuesja e ka refuzuar kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme dhe ky aktgjykim hyn në fuqi menjëherë.
Nga kjo, po ashtu gjykata vë në pah se parashtruesi i kërkesës gëzon të drejtën që për periudhën e vazhdimit të paraburgimit ndaj tij pas nxjerrjes së aktvendimit kontestues të Gjykatës Themelore të 12 gushtit 2022 deri në ngritjen e aktakuzës së tij mund të kërkojë dëmshpërblim nga autoritet publike bazuar në dispozitat e ligjeve në fuqi.


