Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë ankesën e Listës Serbe për ndarjen e ministrive në Qeverinë Kurti.
Lista Serbe më 29 mars ishte ankuar se Qeveria Kurti nuk ia kishte dhënë dy ministri komunitetit joshumicë serb.
Në vendimin e Kushtetueses thuhet se për qëllime të kushtetutshmërisë së përbërjes së Qeverisë, bazuar në nenin 96 të Kushtetutës, në Qeveri duhet të jenë së paku një ministër nga komuniteti serb dhe një ministër nga komunitetet e tjera jo shumicë.
“Mënyra e zgjedhjes së këtyre ministrave dallon varësisht nëse kandidati i propozuar për Ministër është deputet i Kuvendit ose jo. Për caktimin e një kandidati për Ministër nga radhët e deputetëve të Kuvendit, është i nevojshëm konsultimi me partitë, koalicionet ose grupet që përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kosovë. Ndërsa, për caktimin e një kandidati për Ministër jashtë radhëve të deputetëve të Kuvendit, është i nevojshëm miratimi formal i shumicës së deputetëve të Kuvendit, të cilët u përkasin partive, koalicioneve, nismave qytetare dhe kandidatëve të pavarur, të cilët janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetin në fjalë. Gjykata Kushtetuese gjithashtu theksoi se, Kushtetuta përcakton që në rast se përbërja e një Qeverie ka më shumë se dymbëdhjetë (12) Ministra, Qeveria duhet të ketë edhe një Ministër të tretë, “i cili përfaqëson një nga komunitetet jo shumicë në Kosovë””.
“Gjykata tutje theksoi se, për sa i përket Ministrit të tretë, Kushtetuta i mundëson diskrecion mandatarit për Kryeministër përkitazi me radhët e komuniteteve përkatëse, nga të cilët mund të zgjidhet një Ministër i tretë, duke mos përcaktuar detyrimisht që ky Ministër duhet të propozohet/miratohet nga deputetët që përfaqësojnë komunitetin serb ose nga deputetët që përfaqësojnë komunitetet e tjera jo shumicë, por duke kërkuar që të ndiqet procedura e njëjtë përkatësisht konsultimi/miratimi i “komunitetit në fjalë”, varësisht nëse kandidati përkatës është deputet i Kuvendit ose jo”.


