Lajme

Kush po spiunon gjatë aksioneve në veri? Inspektorati Policor dhe Prokuroria nisin hetimet

11/20/2021 21:28
nga:M K

Me 8 persona të arrestuar përfundoi një aksion i Policisë kundër kontrabandës më 13 tetor të këtij viti.

Për dallim nga pjesët e tjera të Kosovës, në pjesën veriore doli se serbët ishin mirë të informuar për këtë aksion. Policia hasi në rezistencë, protesta e sulme gjatë aksionit në veriun e vendit. Si pasojë, disa policë e qytetarë mbetën të lënduar.

Aksioni nuk arriti të përfundojë, dhe kjo shtoi dyshimet e drejtuesve të Policisë së Kosovës, se ka pasur rrjedhje informatash.

“Jemi duke hetuar edhe pistën e rrjedhjes së informative, pasi në disa vende ku kemi qenë kemi pa se ka pasur tërheqje të mallit paraprakisht, dhe gjësendeve tjera që ndërlidhen me krimin e organizuar” kishte thënë Drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti më 13 tetor.

Më shumë se një muaj pas aksionit, Inspektorati Policor i Kosovës ka konfirmuar për RTK-në se po kryejnë hetime për këtë cështje.

“Në këtë fazë të hetimeve vetëm mund t’iu konfirmojmë se Inspektorati Policor i Kosovës është duke hetuar rastin, dhe është duke ndërmarrë veprime hetimore në koordinim me prokurorinë kompetente”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Sipas ekspertëve të sigurisë, këto rrjedhje informatash kanë rezultuar fatale për shumë aksione që janë zhvilluar.

“Këtu përfundimisht duhet të ndermerren masa. Nuk është e vështirë të konstatohet brenda aksionit se a ka ndodhë rrjedhja në fazën preliminare, në fazën e përgatitjes së planit, apo gjatë zbatimit. Për këtë arsye duhet të jemi të kujdesshëm që këto në të ardhmen të mos ndodhin”, shprehet Nuredin Ibishi.

Dyshime për rrjedhje informatash ka sa herë nisin aksione në veri. Njëjtë, në nëntorin e 2019-ës nuk u arrit të arrestohej Milan Radojicic, si i dyshuar kryesor për vrasjen e Oliver Ivanovicit.