Opinion

Kush po e destabilizon Ballkanin?

08/16/2023 11:57
nga:Shaip kamberi

Në Beograd dhe nëpër shumë qytete në Serbi, sikurse edhe në shtetet tjera ku jetojnë serbët, me stihin e zjarrit, po paraqiten murale me tekstin “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” (Kad se vojska na Kosovo vrati).

Në Beograd, simbolikisht ky mural është vendosur në objektin e gjeneralshtabit të ushtrisë së Serbisë (të bombarduar gjatë 1999), ndërkohë që murale të ngjashme shihen edhe në Bosnje e Mal të Zi.

Presidenti autokrat serb, Aleksandar Vuciq, ditëve të fundit, sidomos pas disa editorialeve të prestigjiozeve botëroreë që po e kritikojnë qasjen e tij në poliotikat rajonale, ka filluar të lansojë akuza në drejtim të shqiptarëve për tentative të destabilizimit të Ballkanit përmes idesë së “Shqipërisë së Madhe”.

Ideatori i “Botës serbe”, ide e ideologji politike, vazhdimësi e politikës së Sllobodan Millosheviqit për shtetin që përfshinë të gjithë serbët, i cili me veprime konkrete në Kosovë, Bosnje e Mal të Zi po kërcënon paqen në Ballkanin e brishtë, po akuzon të tjerët se janë luftënxitës.

Nuk ka veprim më luftënxitës se parulla për “kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë”. Kërkojnë kthimin e ushtrisë në territorin në të cilina gjatë periudhës 1998 – 1999 ka kryer krime të rënda lufte, masakra dhe krime kundër njerzimit dhe nga i cili janë larguar pas kapitullimit në luftë.

Vetë shënimi i përvjetorit të “Stuhisë” kroate në Prijedor, në qytetin në të cilin forcat militare e paramilitare serbe kanë vrarë mbi 3100 njerëz prej të cilëve mbi 100 fëmijë dhe 260 gra, është veprim luftënxitës.
Qëllimi i gjithë këtij teatri në Prijedor ishte tentativë për revidim të historisë duke paraqitur serbët si viktima, mbështetur në mitin e dytë mesjetar serb se “serbët janë viktima të përhershme, ndërsa të tjerët komplotojnë për zhdukjen e tyre”.

“Paqja në Ballkan, 30 vjet pas përfundimit të luftës në Bosnje, nuk është vetëm e brishtë, por e rrezikuar në mënyrë akute përshkak të aspiratave të presidentit serb për të vazhduar me projektin e “Serbisë së madhe”, të paraardhësit të vet Sllobodan Millosheviq” shkruan Aleksandar Rhoterta, ish i punësuar në zyrën e OHR për Bosnje, në një tekst autorial në të përdistshmen zvicërane Neu Zuercher Zeitung.
Letra e 50 diplomatëve botërorë me titull “Rreziqet e eskalimit të mëtejshëm”, e cila kërkon një qasje të re ndaj Serbisë dhe presidentit të saj, paraqet një vërejtje serioze për politikbërësit tolerant ndërkombëtar.

Presidenti serb në vend se të fajësoj të tjerët dhe fajtorin të gjejë në Shkup, Tetovë, Prishtinë, Ulqin apo Bujanoc e Preshevë, është mirë të kthejë kokën ka Beogradi, Krushevci, Banjaluka, e qytetet e tjera në Serbi e ku jetojnë serbët për të ndaluar këtë fushatë histerike e të pakuptimt rreth aspiratave imagjinare për “kthim triumfal në Kosovë”.