Shtetet e Bashkuara kanë vrarë liderin e Al-Kaidës, Ayman al-Zawahiri, në një sulm me dron. Zyrtarët në Uashington thanë se ai u vra teksa po qëndronte në ballkonin e shtëpisë së tij në qendër të Kabulit, në Afganistan.
Vrasja e al-Zawahirit konsiderohet si goditja më e madhe ndaj këtij grupi militant qëkur u vra Osama bin Laden më 2011.
Në këtë tekst mund të mësoni më shumë për disa prej komandantëve më të lartë që, sipas ekspertëve, mund të marrin udhëheqjen e organizatës terroriste.
Një fotografi e Saif al-Adel e publikuar nga FBI-ja më 2001.

Shtetet e Bashkuara kanë ofruar 10 milionë dollarë shpërblim për informacione që do të mund të çonin në arrestimin e tij.
Al-Adel dyshohet se ka qenë i përfshirë në vrasjen e presidentit të Egjiptit, Anwar Sadat, më 1981. Ai më pas u largua nga shteti më 1988 për t’iu bashkuar luftës muxhahedine kundër pushtimit sovjetik të Afganistanit.
Al-Adel, që është një prej shefave ushtarak të Al-Kaidës dhe shpesh thuhet se është numri tre në këtë organizatë, ka ndihmuar në planifikimin e sulmeve me bomba kundër ambasadave amerikane në Najrobi dhe Dar as Salam më 1998. Ai po ashtu, gjatë viteve ‘90 ka ngritur kampe trajnimi të Al-Kaidës në Sudan, Pakistan dhe Afganistan.
Më 2004, ditari i al-Adelit u gjet gjatë bastisjeve në Arabinë Saudite. Roli i tij në Al-Kaida përshkruhet si trajnues, udhëheqës ushtarak dhe anëtar i ekipit të sigurisë së bin Ladenit.
Para se t’i bashkohej Al-Kaidës, ai kishte qenë pjesëtar i organizatës së Xhihadit Islamik të Egjiptit, organizatë që ishte e vendosur që ta rrëzonte qeverisjen në këtë shtet.
Emri i al-Adel, po ashtu, është lidhur me vrasjen e gazetarit amerikan, Daniel Pearl, në Pakistan më 2002, kanë thënë hetuesit amerikanë në një raport.
Gjetjet nga hetuesit të Projektit Pearl zbuluan se al-Adel kishte diskutuar për rrëmbimin e Pearl me Khalid Sheikh Mohammad, që njihet edhe si KSM dhe akuzohet si arkitekti i sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara.
Al-Adel ishte emëruar udhëheqës në detyrë i Al-Kaidës, pas vdekjes së Osama bin Ladenit.
Yezid Mebarek
Yezid Mebarek, që njihet edhe me emrin Ubaydah Yusuf al-Anabi, u bë emir i Al-Kaidës në Magrebin Islamik më 2020, kur gjatë bastisjeve të Francës u vra paraardhësi i tij.
Mebarek, nga Algjeria, ka udhëhequr operacione mediale për Al-Kaidën në Magrebin Islamik, dhe më 2013 ai lëshoi një video duke bërë thirrje për sulme ndaj interesave franceze, pasi Parisi dërgoi trupa për të ndihmuar në shtypjen e kryengritjes së militantëve në Mali.
Mebarek, 53 vjeç, është një veteran i luftës civile të Algjerisë në vitet ’90, luftë që u zhvillua midis Qeverisë dhe forcave islamike. Ai u ngrit në hierarkinë e grupit GSPC.
Al-Kaida në Magrebin Islamik shfrytëzoi kaosin në mbarë rajonin e Sahelit dhe u bë një prej rrjeteve më aktive globale dhe një prej degëve më të rëndësishme të grupit terrorist, duke rrëmbyer shtetas perëndimorë dhe duke kryer sulme në të gjithë territorin e këtij rajoni.
Si shenjë e rëndësisë për Al-Kaidën së degës në Magrebin Islamik, paraardhësi i Mebarekut, Abdelmalek Droukdel, ishte pjesë e udhëheqjes qendrore të grupit islamik nën Zawahirin, para se të vritej nga forcat franceze më 2020.
Abd al Rahman al-Maghrebi
Byroja Federale e Hetimeve (FBI) e kërkon për ta marrë në pyetje Abd al-Rahman al-Maghrebin nga Maroku për shkak të lidhjeve të tij me anëtarësinë e Al-Kaidës. Ai kishte studiuar programim softuerik në Gjermani para se të shpërngulej në Afganistan, ku u zgjodh për të menaxhuar krahun kryesor të medias të Al-Kaidës, tha FBI.
Ai është dhëndër i Zawahirit dhe lider i lartë në Al-Kaida.
Dokumentet që janë siguruar gjatë operacionit ku u vra bin Laden, tregojnë se al-Maghrebi ka qenë një prej zyrtarëve në ngritje në hierarkinë e Al-Kaidës për vite me radhë. Ai ka shërbyer në postin e menaxherit të përgjithshëm të Al-Kaidës në Afganistan dhe Pakistan. REL


