Lajme

Kush janë tre ish-deputetët me të cilët Pacolli tha se e ka parë Veselinoviqin në Budva?

12/10/2021 08:21
nga:M K

Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli, ka thënë se nuk e njeh asnjë prej anëtarëve të grupit të Zvonko Veselinoviqit, të cilët i sanksonoi Amerika, pavarësisht se njërit prej tyre i kishte bërë konak në jaht. Por, ai ka deklaruar se Veselinoviqin e kishte parë duke u shoqëruar me tre deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Behgjet Pacolli i AKR’së i ka mirëpritur sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për kokat e krimit në veri, edhe pse thotë se nuk e njeh asnjërin prej tyre.

Për Zvonko Veselinoviqin, deklaron se i ishte ofruar gjatë pushimeve në Budva, por thotë se nuk e kishte njohur. Shton se as sot nuk e di se cili prej tyre është Veselinoviqi.

Por, ai ka treguar se atë ditë, Veselinoviqi kishte qenë i shoqëruar me tre deputetë të Kuvendit të Kosovës. Emrat e tyre s’i ka treguar.

“Dy vite më parë gjatë pushimeve në bregdetin e Adriatikut në Budva, mua më është ofruar një njeri, që shumë më vonë e kam kuptuar se ishte Zvonko Veselinoviq. Ai atje ishte i shoqëruar me deputetë të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës. Unë vetëm i kam përshëndetur dhe aq. Unë nuk e njoh Veselinoviqin, as nuk e kam parë më vonë. As sot nuk e di cili prej tyre ishte Veselinoviqi”, deklaroi Pacolli në RTV 21.

“Thjeshta na ka rastisur që gjatë ankorimit të anijeve të takohemi. Ata vetëm se ishin aty kur unë shkova. E kemi njohur kryetarin e Mitrovicës së Veriut dhe jemi përshëndetur. Aty ishin edhe tre deputet të Kuvendit të Kosovës”, ka shtuar Pacolli.

Një prej të sanksionuarve është edhe Milan Radojqiq, i cili është i njohur për një takim në një jaht me Pacollin. Një foto që kishte qarkulluar në vitin 2017, shfaqte Radojqiqin dhe Pacollin, si dhe kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq.

Fotoja ekskluzive ishte shpërndarë së pari nga mediumi serb, KRIK. Atëbotë, Pacolli ishte kryediplomati i Kosovës.

Sipas shkrimeve, fotoja ishte bërë në Budva të Malit të Zi.

Në këtë fotografi, Pacolli është i ulur në tavolinë me Radojqiqin, teksa aty janë edhe dy gra të paidentifikuara.

Ndryshe, Zyra e Departamentit Amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja ka gjetur dhe treguar se Veselinoviq është një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë.

Në komunikatën e kësaj zyreje thuhet se grupi i tij kriminal ka komplotuar (ka bërë plane sekrete) me politikanë të ndryshëm në disa marrëveshje në fillim të vitit 2019, përfshirë një shkallë të gjerë ryshfeti me zyrtarë të sigurisë kosovare dhe serbë.

“Zvonko Veselinoviq (Veselinoviq), udhëheqësi i Grupit të Krimit të Organizuar Zvonko Veselinoviq (OCG), është një nga figurat më famëkeqe të korruptuara të Kosovës. Organizata e Veselinoviqit është e angazhuar në një skemë ryshfeti në shkallë të gjerë me zyrtarë të sigurisë kosovare dhe serbe, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Grupi gjithashtu ka komplotuar me politikanë të ndryshëm në disa marrëveshje quid pro quo (një favor a avantazh i dhënë ose i pritur në këmbim të diçkaje), duke përfshirë ryshfetin në fillim të vitit 2019 të zyrtarëve kosovarë të sigurisë për të lejuar operacionet e tyre të kontrabandës ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe ryshfetin e fundit të vitit 2017 të zyrtarëve kosovarë të sigurisë kufitare për të lejuar kalimin e sigurt për kontrabandistët”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Departamentit Amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja.

Nga fundi i vitit 2019, thuhet se Veselinoviq dhe vëllai i tij, Zharko Jovan Veselinoviq kishin marrëveshje me politikanë për ta ndihmuar partinë e tyre t’i fitonte zgjedhjet, të siguronte fitore për kandidatët dhe t’i ndihmonte ata me shuma të mëdha parash.

“Në këmbim, këta politikanë do t’u jepnin vëllezërve kontrollin e zonave të caktuara për bizneset e tyre dhe ku ata mund të kryenin aktivitetet e tyre të paligjshme pa ndërhyrjen e autoriteteve serbe, dhe gjithashtu do të ofronin informacion të pronarit të biznesit për të mbështetur investimet e biznesit të vëllezërve. Politikanët gjithashtu do t’i shpërblenin vëllezërit Veselinoviq duke punuar për t’u dhënë atyre kontratat më të mira të infrastrukturës. Nga fundi i vitit 2017, Veselinoviq dhe Zharko bënë donacione si metodë për pastrimin e parave që buronin nga sipërmarrja e tyre kriminale”, thuhet tutje në komunikatë.

Zharko ka qenë lider në organizatën e Veselinoviqit, duke punuar me vëllain e tij në aktivitetet e tyre të kontrabandës, frikësimin e dhunshëm të bizneseve, projektet e tyre të ndërtimit dhe infrastrukturës dhe projektet e tyre të zhvillimit të telekomunikacionit.

“Përveç kësaj, Veselinoviq dhe grupi i tij u paditën për përfshirjen e tyre të dyshuar në vrasjen e liderit të partisë politike Oliver Ivanoviq në janar 2018. Veselinoviq dhe anëtarët e tjerë të organizatës, Milan Rajko Radojçiq, Zheljko Bojiq dhe Marko Rosiq, të gjithë u përmendën në aktakuzë për vrasjen, secili duke shërbyer rolin e tij në atentatin për ndërmarrjen kriminale”, thuhet në komunikatën që i arsyeton saknsionet e ndërmarra.

Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar menjëherë pas këtij vendimi për t’i mirëpritur sanksionet ndaj Zvonko Veselinoviqin dhe grupit të tij kriminal.

“I mirëpres sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Veselinoviqit dhe grupit të tij transnacional të krimit të organizuar nga veriu i Kosovës. Institucionet e Republikës së Kosovës janë plotësisht të përkushtuara ndaj sundimit të ligjit dhe do të bashkëpunojnë me SHBA-në për të siguruar që rajoni ynë të mos bëhet një parajsë e sigurt për grupe të tilla kriminale”, shkroi Osmani në Twitter.

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken njoftoi për vendimin, teksa tha se këto sanksione synojnë autorët e korrupsionit.

“Në përputhje me qëllimet e Samitit për Demokraci të kësaj jave, Shtetet e Bashkuara po vendosin sot sanksione ndaj 16 individëve dhe 24 subjekteve nga disa vende në Evropë dhe hemisferën perëndimore. Këto sanksione synojnë autorët e korrupsionit në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv 13818, i cili bazohet dhe zbaton Aktin Global të Përgjegjshmërisë për të Drejtat e Njeriut Magnitsky”, ka thënë Blinken në një deklaratë të lëshuar nga Departamenti i Shtetit.

Kryediplomati amerikan tutje është shpreh se SHBA do të shfrytëzojë të gjitha mjetet për t’i thyer lidhjet mes aktivitetit kriminal dhe korrupsionit të këtyre organizatave kriminale.

“Ne do të vazhdojmë të përdorim të gjitha mjetet në dispozicion për të thyer lidhjet midis aktivitetit kriminal dhe korrupsionit. Veprimet e sotme, me përcaktimet e Departamentit të Thesarit për akterë të korruptuar të lidhur me organizata kriminale transnacionale në El Salvador, Kosovë dhe Serbi, janë pjesë e përpjekjeve tona të gjithë qeverisë për të thyer këto lidhje dhe për të promovuar llogaridhënien për akterët e korruptuar”, ka thënë Blinken.