Sporti

Kush janë kandidatët për postin e trajnerit tek Milani?

05/26/2026 08:46
nga:Mergim Rreci

AC Milan ka nisur lëvizjet për sezonin e ardhshëm dhe emri më i përfolur për pankinën kuqezi është ai i Andoni Iraola.

Sipas raportimeve të fundit nga Football Italia, drejtuesit e Milanit kishin kontaktuar trajnerin spanjoll që javën e kaluar, shumë përpara se klubi të mbetej jashtë zonës së Champions League dhe të shkarkonte Massimiliano Allegri, transmeton GazetaBlic Sport.

Raporti thekson se drejtuesit kuqezi kishin filluar të planifikonin ndryshimin në stol edhe në rast se Allegri do të siguronte një vend në katërshen e parë të Serie A. Kjo tregon se projekti i ri sportiv i klubit ishte menduar prej kohësh dhe se besimi ndaj trajnerit italian kishte filluar të lëkundej javë më parë.

Në krye të listës së preferencave mbetet Iraola, i cili ka bërë një punë të shkëlqyer me  Bournemouth dhe ka siguruar kualifikimin në Europa League. Trajneri spanjoll shihet si profili ideal për stilin modern dhe agresiv të lojës që kërkon të implementojë drejtuesi i klubit, Gerry Cardinale.

Megjithatë, Iraola nuk është i vetmi kandidat. Në listën e Milanit përmenden edhe emra të njohur si Unai Emery, Xavi Hernandez, Thiago Motta dhe Vincenzo Italiano. Emery vjen pas një tjetër suksesi europian me Aston Villa, ndërsa Italiano vazhdon të jetë një nga trajnerët më të vlerësuar në futbollin italian.

Ndryshimet nuk pritet të ndalen vetëm te stoli. Sipas mediave italiane, Milani po përgatit një ristrukturim të plotë sportiv pas një sezoni zhgënjyes, ku mungesa e kualifikimit në Champions League konsiderohet një goditje e madhe financiare dhe sportive për klubin.

/GazetaBlic Sport/