Demush Shasha nga Instituti EPIK, pas miratimit të liberalizimit të vizave për Kosovën nga Parlamenti Evropian, është shprehur se është misterioze mungesa e zemërgjerësisë së Qeverisë Kurti.
Reagimi i tij vjen pasi Qeveria e Kosovës tha se “falë punës së Qeverisë sidomos në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit e menaxhimit të migrimit u arrit zhbllokimi i procesit dhe bindja e institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare se Kosova meriton përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe se vendi ka bërë progres e arritje të rëndësishme në fushat relevante”.
Por sipas Shashës, një gjë e tillë nuk qëndron.
“Edhe nëse shkojmë në ekstrem dhe e pranojmë pretendimin e Vetëvendosjes se falë punës së tyre u përmbush një kriter i mbetur (sundimi i ligjit), prapë mbesin 94 kritere të tjera të cilat ata nuk i kanë përmbush, por dikush tjetër”.
Duke pasur kritika ndaj pushtetit, Shasha shkroi në Facebook se dita e sotme duhet të jetë ditë feste pa dallim për të gjithë politikanët në Kosovë.
“Dita sikur kjo e sotme duhet të jetë ditë përbashkuese dhe festive e gjithë spektrit politik. Barra e zgjatjes së dorës është çdo herë mbi shumicën”, shkroi ai në Facebook. .


