Qeveria e Kosovës gjatë mbledhjes së saj ka marrë një vendim përmes së cilit synon që ushtria e Kosovës të jetë pjesë e Aleancës Veri –Atlantike, raporton Gazeta Blic.
Sponsor i kësaj nisme ka qenë ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës dhe Diasporës.
E për këtë në konferencë për media Donika Gërvalla ka dhënë detaje për këtë grup punues që synim ka anëtarësimin e Kosovës në NATO.
“Si prioriteti strategjik, MPJD sot ka propozuar dhe më pas e ka miratuar Qeveria e Kosovës formimin e grupit ndër institucional për anëtarësimi ne Kosovës në NATO. Në këtë grup janë të përfshira Ministria e Mbrojtës, ajo e Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme, përfaqësues nga presidenca, kryeministria, ambasadori i Kosovës në SHBA dhe disa institucione të tjera”, ka thënë Gërvalla ndër të tjera në konferencën për media pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë.
Ajo ka folur edhe për blerjen e dy objekteve për ambasadat e Kosovës në SHBA dhe Britaninë e Madhe.
“Nuk do ta paguajmë më qera të mëdha, por Kosova do të blejë dy objekte për ambasadat, kjo edhe dëshmon marrëdhëniet bilaterale që kemi me SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar”, tha ajo.
Ndërkohë gjatë mbledhjes së Qeverisë kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se duke pasur parasysh prioritetin strategjik kryesor për anëtarësim në NATO, Ministria e Punëve të Jashtme ka propozuar formimin e Grupit për integrimin e vendit tonë në NATO.
Avancimi i procesit të integrimit në NATO, përfshirja sa më e shpejtë e Kosovës në Partneritetin për paqe, anëtarësimi në Kartën e Adriatikut A 5, fuqizimin i pranisë së Kosovës në mekanizmat tjerë dhe intensifikimi i bashkëpunimit me aleatët strategjik ndërkombëtar, janë ndër pikat kryesore të punës së këtij grupi punues.


