Lajme

Kusari-Lila: VV-ja është pro çdo hetimi për energjinë, madje edhe për kohën kur kam qenë unë Zëvendëskryeministre

04/29/2022 17:18
nga:Astrit Gashi

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se kjo parti është pro formimit të Komisionit Hetimor për Energjinë dhe hetimin e të gjitha rasteve që ndërlidhen me këtë çështje në vend.

Madje, ajo tha se është pro hetimit edhe në kohën kur vetë ka qenë në pozitën e zëvendëskryeminsitres dhe ministres në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, në qeverinë e viti 2011.

Tutje, sipas saj, vetë opozita është ajo që po e bllokon formimin e këtij Komisioni Hetimor.

“Kjo është dalluar edhe dje në Kuvend kur nuk u votua për formimin e tij, pavarësisht se në sallë ishin 61 deputetë”, ka thënë Kusari – Lila, për Klankosova.tv.

Kujtojmë se dje ka dështuar votimi i Komisionit Hetimor për Energjinë, ku në sallë ishin 61 deputetë, por nga ta morën pjesë veç tre e të tre abstenuan.