Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila ka shpalosur detaje nga agjenda e Qeverisë për sesionin pranveror të Kuvendit. Kusari- Lila ka thënë se tashmë e kanë aprovuar mbështetjen e dy partive opozitare për të votuar marrëveshjet ndërkombëtare.
Ajo në një intervistë në emisionin “Këndi i Debatit” ka theksuar se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë konfirmuar votimin e mëtejshëm të marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Janë dy grupe parlamentare që kanë votuar në fund të sesionit të kaluar, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca. Aleanca me aq sa kam kuptuar drejt ka konfirmuar votimin e mëtutjeshëm të marrëveshjeve ndërkombëtare si dhe ligjet e sigurisë që është një qëndrim parimor i tyre në raport me një sektor në veçanti për të cilën ata deklarohen. Ndërsa Lidhja Demokratike gjegjësisht, kryetari i lidhjes Demokratike pas mbledhjes së kryesisë deklaroi që ndoshta do të shohin ndërlidhjen apo kushtëzimin në një far formë me çështjen e funksionimit apo mosfunksionimit të Komisionit Hetimor Parlamentar por nuk e tha si qëndrim të prerë, andaj duhet ti kthehemi sërish bisedimeve”, ka thënë ajo.
Por ndryshe nga dy partitë e lart përmendura opozitare, LVV as nuk ka tentuar të bisedojë me Partinë Demokratike të Kosovës, pasi siç është shprehur Kusar- Lila diçka e tillë nuk ja vlen të bëhet.
Si arsye ajo e ka determinuar opozitarizmin destruktiv të PDK-së.
“Me Partinë Demokratike thënë të drejtën nuk kemi bërë përpjekje dhe nuk mendoj se ja vlen, për arsye se qasjen si e kanë në projektuar opozitarizmin ka kaluar në destruktivitet total”, është shprehur ajo.
Shefja e LVV-së po ashtu ka dhënë detaje lidhur me agjendën e Qeverisë për në sesionin e ri pranverorë.
“Sikur të kishim një takim të rregullt nesër në agjendë do të ishin 31 pika, që disa janë të bartura nga sesioni i kaluar disa ndërkohë që kanë kaluar procedurat dhe afatet e shqyrtimit si projekt ligje dhe kanë të bëjnë me azhurnimin e agjendës evropiane gjegjësisht me rishikimin e disa ligjeve të reja. Por gjithashtu janë edhe disa marrëveshje ndërkombëtare që kanë mbetur dhe janë bartur prej sesionit të kaluar vjeshtor dhe disa të tjera që kanë ardhur e do të vijnë në vijim në Kuvendin e Kosovës”, ka shtuar ajo.
Nesër Kuvendi i Kosovës e nis punën për sesionin pranverorë me një seancë të jashtëzakonshme për çmimet e energjisë të thirrur nga opozita.


