Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), Mimoza Kusari-Lila, ka mirëpritur zyrtarisht 15 inspektorë komunalë, të cilët janë transferuar në kuadër të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në përputhje me Ligjin për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut.
Gjatë ceremonisë, ministrja u uroi mirëseardhje inspektorëve në institucionin e ri, duke theksuar se ky transferim përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të IQMT-së dhe në avancimin e reformës për mbikëqyrjen e tregut, raporton Gazeta Blic.
Sipas Kusari-Lilës, me transferimin e 15 inspektorëve, numri i përgjithshëm i inspektorëve të IQMT-së është rritur nga 24 në 39.
Ajo bëri të ditur se faza e dytë e zbatimit të ligjit parashikon rritjen e këtij numri në 100 inspektorë deri në fund të vitit 2026, me synimin për të zgjeruar kapacitetet mbikëqyrëse në të gjithë territorin e Kosovës.
Kusari-Lila theksoi se zgjerimi i kapaciteteve të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut do të ndikojë në mbrojtjen më të mirë të të drejtave të konsumatorëve, garantimin e sigurisë së produkteve, rritjen e zbatimit të legjislacionit në fuqi, si dhe në ndërtimin e një tregu më të drejtë, më të besueshëm dhe më të sigurt për qytetarët.


