Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ngushëllon për Afrim Bunjakun dhe thotë se sulmuesit po synonin cenimin dhe dëmtimin e shtetit të Kosovës, raporton Gazeta Blic.
“Kosovës iu shtua edhe një hero, rreshteri Afrim Bunjaku, i vrarë dje nga terroristët që synojnë cenimin dhe dëmtimin e shtetit të Kosovës”, ka shkruar Kusari-Lila.
Tutje ka thënë se Kosova humbi një polic shembullor, por në anën tjetër Policisë dhe tërë Kosovës iu përmbushur amaneti i heronjëve.
“Familja Bunjaku, Policia e Kosoves, dhe tërë Kosova humbëm një polic shembullor dhe të përkushtuar, por familjes, Policisë dhe tërë Kosovës iu forcua përkushtimi dhe angazhimi për të përmbushur amanetin e heronjëve, sakrifica e të cilëve do të ndriqojë rrugën tonë përpara”, ka thënë ajo.
“Jo vetëm sot në këtë ditë zie për rreshterin Afrim Bunjaku, por çdo ditë tjetër që pason, vepra dhe sakrifica e heronjëve do të mbetet rikujtim për punën, unitetin dhe angazhimin tonë të domosdoshëm për një Kosovë në të cilën jeta ka vlerë dhe vendi aspiron të ardhmen e ndritur”, ka shkruar ndër të tjera Kusari-Lila.
Krejt në fund nderon jetën dhe veprën e policit Afrim Bunjaku.
“Lavdi jetës dhe sakrificës së heroit Afrim Bunjaku”. /GazetaBlic/


