Anëtari i lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi, ka vazhduar sulmet ndaj gazetarëve ku ditën e djeshme ka eskaluar në fyerje ndaj Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), duke i cilësuar si ‘aleancë e grupeve kriminale’.
Kjo deklaratë ka sjellë reagime të forta ndaj Kurteshit dhe LVV-së duke u dënuar një gjuhë e tillë ndaj mediave.
Në lidhje me deklaratën e Kurteshit ka folur për “Gazeta Blic”, juristja e mediave, Flutura Kusari.
Kusari tha se gjuha e përdorur nga Sami Kurteshi është gjuhë e LVV-së, një gjuhë denigruese, përçarëse dhe nxitëse.
Ajo potencoi se kjo është metodologjia e VV-së për të fshehur dështimet në qeverisje.
“Gjuha e Kurteshit është gjuha e VV-së, një gjuhë denigruese, përçarëse dhe nxitëse, me qëllim të vetëm nxitjen e urrejtjes ndaj mediave dhe uljen e kredibilitetit të tyre. Kjo është metodologjia e VV-së për të fshehur dështimet në qeverisje dhe për të krijuar një klimë ku publiku u beson propagandës dhe jo të vërtetës”
Kusari theksoi se një gjuhë e tillë rrezikon drejtpërdrejt sigurinë e gazetarëve.
Ajo i bëri thirrje Lëvizjes Vetëvendosje të reflektojë, të ndalë sulmet dhe të respektojë profesionin e gazetarit.
“Kjo gjuhë rrezikon drejtpërdrejt sigurinë e gazetarëve dhe i nxit mbështetësit e saj të sulmojnë, qoftë online apo offline. Në veçanti, meqë fushata zgjedhore po afrohet, kjo qasje është paralajmërim se gazetarët do të përballen me javë të vështira.E ftoj VV-në të reflektojë, të ndalë sulmet dhe të respektojë profesionin e gazetarit” tha Kusari në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.
/Gazeta Blic/


