Lajme

Kurti takon Moisiun dhe Sejdiun, këta të fundit i gëzohen progresit ekonomik të arritur gjatë viteve të fundit

10/06/2024 14:24
nga:G C

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim ish-Presidentët e Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, dhe të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu. Ky takim erdhi pas pjesëmarrjes së tyre në konferencën “Balkan Leadership Conference”, e organizuar nga Federata e Paqes Universale në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Kosovës, raporton GazetaBlic.

Siç njofton zyra e kryeministrit, gjatë takimit, u diskutua për progresin ekonomik dhe demokratik të Kosovës, si dhe për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë, me fokus në projektet e përbashkëta që forcojnë lidhshmërinë mes dy vendeve.

Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë për të avancuar zhvillimin e të dyja shteteve.

Ish-Presidentët Moisiu dhe Sejdiu shprehën mbështetje për Kryeministrin dhe i uruan suksese në vazhdimësi, duke theksuar progresin e arritur në ekonominë e Kosovës gjatë viteve të fundit.