Lajme

Kurti- Vuçiq më 11 maj, Borrel: Unë nuk kam asgjë speciale për të të ofruar

04/26/2021 20:59
nga:Gazeta Blic

Të hënën priti presidentin e Serbisë, e të enjten e ka në agjendë bisedën me Kryeministrin e Kosovës, që po ashtu do zbarkoi në Bruksel.

Përtej kësaj, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borell, zbuloi datën se kur do të ndodh takimi i parë i nivelit të lartë mes palëve qëkur në Prishtinë Albin Kurti u bë kryeministër e Aleksandar Vuçiq, mbetet shef shteti në Beograd.

“PO e bëjmë më të mirën që DIALOGU të vazhdojë . Ne do të kemi takim me kryeministrin e ri të Kosovës , i cili nuk është plotësisht i ri pasi që në këtë pozitë ishte edhe një herë kur nisëm. Pastaj SHPRESOJMË që rrethin e ri të bisedimeve do ta kemi në datën të cilën e kemi caktuar e që është 11 Maji. Unë nuk kam asgjë speciale për të të ofruar përpos sqarimit që dialogu është rruga e vetme për të ardhur te marrëveshja që do të ishte ligjërisht obligative dhe e pranueshme për të dyja palët” tha Borell në konferencë të përbashkët me Vuçiq.

Kryediplomati evropian që është spanjoll u tregua direkt karshi mysafirit.

Ia tregoi disa kushte për ti plotësuar në rast se do të bëhet anëtare e Unionit.

“Në veçanti këtu hyn sundimi i Ligjit dhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën dhe natyrisht përputhja me politikat e jashtme e të sigurisë së Evropës. Sepse nëse do të jesh pjesë e klubit duhet të pajtohesh me këto politika e jo të kesh qëndrime të ndryshme. Kjo është më e rëndësishme sesa numërimi i kapitujve që hapen drejt anëtarësimit. Tek e fundit ky është proces teknokrat” shtoi, Borell.

Nga ana e tij Vuçiq, e quajti vizitën e së hënës në Bruksel më të mirën që e kishte.

Arsye për këtë tha se është financimi qe evropianët do ia bëjnë hekurudhës Beograd-Shkup që kalon nëpër Preshevë si dhe nisjes së shtrimit të rrugës nga Nishi i Serbisë për në Prishtinë të Kosovës që e quajnë “Autostrada e Paqes”

Sikur Vuçiq ashtu dhe Borell, mohuan se janë në dijeni apo të kenë parë dokumentin që mëtohet se është slloven e i cili kërkon ndryshim total të kufijve në Ballkanin Perëndimor.

Shefi i diplomacisë evropiane tha Brukseli se respekton integritetin territorial të vendeve të këtij rajoni dhe se ka vetëm një zgjidhje madhore e që është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.