Ndonëse jo në sy, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vazhduar me kritikat e tij për sistemin prokurorial.
Kurti në një intervistë në televizionin publik, tregoi edhe njëherë se nuk do të shkojë në prokurori speciale për të dëshmuar, por se derën e zyrës së tij, e kanë të hapur për këtë prokurorët.
“Unë nuk jam aktor, por nuk do të pranojë ata të jenë regjisor….Në një shtet demokratik nuk ka kësi prokurorie. Prokuroria përbrenda ka një sistem hierarkik me të cilin nuk mund të krahasohet as ushtria e Kosovës, FSK-ja. Aq shumë është hierarki e rreptë me kupolën e Këshillit Prokurorial të Kosovës në maje, saqë asi lloj rigjiditeti në hierarki nuk ka as FSK-ja. Pra, aty vendos një klikë e njerëzve me në krye, Blerim Isufaj”, ka thënë Albin Kurti – Kryeministër i Kosovës.
Kjo qasje e kreut të qeverisë, sipas ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, është e papranueshme e ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.
“Unë konsideroj se kjo gjuhë është e papërshtatshme edhe denigruese ndaj një institucioni të pavarur shtetëror, e që nuk i ka hije një kryeministri që të përdor atë gjuhë ndaj prokurorisë për shkak se vërtet është obligim i kryeministrit që të jetë shembull se askush nuk është mbi ligjin, dhe që të shkojë të dëshmojë”, ka thënë Hasan Shala – Ish kryetar i Gjykatës së Apelit.
Skandaloze e shembull të keq për qytetarët e vlerëson veprimin e Kurtit karshi ligjit, avokati Naim Rudari.
“Janë të papranueshme po ashtu janë skandaloze meqë ata janë bartës të institucioneve të cilët detyrohen që ta ndihmojnë prokurorinë, ata detyrohen edhe të rregullojnë politikat e këtyre institucioneve për të vepruar për më shumë Kodi i procedurës penale ka paraparë edhe një nen që detyrohen të gjitha organet të e ndihmojnë e në anën tjetër kryeministri po e paragjykon, se çfarë po mendon prokuroria”, ka thënë Naim Rudari – Avokat.
Gjatë mandatit të tij 4 vjeçar, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e zyrtarë të tjerë shtetëror, nuk kursyen kritikat e as gjuhën e ashpër karshi sistemit prokurorial e atij gjyqësor. Një ditë më parë, kryeprokurori Blerim Isufaj tha se nuk merret me deklarata politike dhe se të gjithë janë të barabartë para ligjit./Dukagjini/