Lajme

Kurti vizitoi Institutin e Krimeve të Kryera gjatë luftës në Kosovë, pranon raportin 1-vjeçar të punës

11/11/2024 17:41
nga:G C

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur mirënjohje ndaj Drejtorit të Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, dhe stafit të institucionit për angazhimin dhe punën e palodhshme gjatë vitit të kaluar, raporton GazetaBlic.

Kurti falënderoi Hetemin për mikpritjen dhe për dorëzimin e Raportit Njëvjeçar, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe digjitalizimit të materialeve dhe dokumenteve që dëshmojnë krimet e luftës, si dhe përpjekjet për drejtësi dhe rehabilitimin e viktimave.

Në një aktivitet që u zhvillua sot, Kryeministri Kurti ishte shoqëruar nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, e cila vet është një e mbijetuar e masakrës së familjes Bogujevci. Gjatë vizitës, ai theksoi se gjatë vitit të kaluar janë grumbulluar më shumë se 15 tera bajt të dhënash, përfshirë videoxhirime, fotografi, audio dhe tekste, të cilat janë ruajtur dhe digjitalizuar me shumë kujdes nga ekipi i Institutit.

Kurti e quajti këtë punë “jetike dhe vendimtare” për historinë e Kosovës dhe drejtësinë, duke theksuar se këto materiale janë të rëndësishme për të kuptuar të vërtetën historike dhe për të ofruar drejtësi për viktimat e krimeve të luftës. Ai gjithashtu e vlerësoi këtë si një hap të rëndësishëm drejt zbulimit të plotë të të vërtetës dhe rehabilitimit të viktimave, duke e quajtur drejtësinë e munguar një “padrejtësi të vazhdueshme”.

Kryeministri theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me aktorë të ndryshëm, duke përmendur burimet e materialeve nga ministritë, komunat, organizatat joqeveritare, gazetarët dhe koleksionistët, të cilët kanë kontribuar për ruajtjen e dëshmive. Ai i bëri thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të dorëzojnë dokumentet dhe materialet e tyre, të cilat do të kontribuojnë për të zbardhur të vërtetën dhe për të siguruar drejtësi për të gjithë ata që kanë vuajtur gjatë luftës.

Përfundimisht, Kryeministri vlerësoi bashkëpunimin me Agjencinë e Statistikave të Kosovës dhe Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, të cilët kanë kontribuar në regjistrimin dhe analizimin e dëmeve dhe vuajtjeve të qytetarëve gjatë luftës, duke e quajtur këtë një hap të rëndësishëm për dokumentimin dhe njohjen e vuajtjeve të popullatës kosovare.