Lajme

Kurti vërejtje Macronit: Ideja për Komunitetin Evropian kërkon më shumë substancë

05/19/2022 00:24
nga:Astrit Gashi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për propozimin e presidentit të Francës, Emanuel Macron për krijimin e ‘komunitetit politik evropian’ që mund të jetë i hapur për shtetet që nuk i janë bashkuar BE-së, ngjashëm si edhe ato që janë larguar, sikur Britania

Kurti në Këshillin e Atlantikut tha se kjo ide për t’u bërë propozim konkret duhet më shumë substancë.

“Propozimi i Presidentit Macron duket si ide interesante, por për tu bërë propozim konkret duhet të kemi më shumë substancë. Besoj që detyra më urgjente për të gjithë ne është që të ndihmojmë popullin ukrainas të shlirohet. Nëse NATO nuk do të hyjë në Ukrainë, atëherë më së paku që mund të bëjmë është që populli i Ukrainës të ketë ndihmën e mjaftueshme që të përforcojë luftën e tyre çliruese drejt fitores. Nuk mund të shoh asnjë lloj thelbi të paqes përveç fitores së plotë të Ukrainës”, tha Kurti.

Tutje Kurti pati edhe vërejtje duke thënë se BE-ja ka shprehur një lloj mungese besimi për shtetet e Ballkanit, por sipas tij, BE-së i duhet më shumë vetëbesim.

“Njëkohësisht, kurdo që BE-ja ka shprehur një lloj mungese besimi sa i përket shteteve të Ballkanit, asnjëherë nuk jam hidhëruar, pak jam trishtuar, ssepse është një shprehje e mungesës së vetëbesimit të BE-së, më shumë sesa që mund të jetë mungesë besimi ndaj nesh. Pra BE-së i duhet më shumë vetëbesim dhe besoj që kanë personin e duhur në Shtëpinë e Bardhë.

Të shohim se si ky propozim do të elaborohet më tutje, por një BE më e bashkuar në cështjet politike, e ekonomike ushtarake është gjë e më e mirë për kontinentin dhe jo vetëm”, tha Kurti.