Lajme

Kurti u kërkoi përgjegjësi, KGJK-ja dhe KPK-ja i kundërpërgjigjen bashkërisht

09/02/2022 17:19
nga:Mergim Rreci

Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial janë deklaruar bashkërisht pasi të premten kryeministri Albin Kurti u reagoi duke i kritikuar ashpër gjyqtarët dhe prokurorët për siç ka thënë, heshtjen në lidhje me rastin e dyshuar të dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë.

Këto dy institucione duke i reaguar shefit të qeverisë kanë theksuar se në raport me këtë çështje sillen si institucione të përgjegjshme, të pavarura dhe profesionale dhe jo si disa institucione që përmes reagimeve me deklarata publike nuk përngjajnë në institucione shtetërore.

“Lidhur me këtë rast, ne si institucione kompetente në koordinim të plotë me institucionet tjera relevante, kemi ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme për trajtimin e rastit me profesionalizëm”, u tha në komunikatën e përbashkët të të dyja institucioneve.

Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i kanë bërë thirrje Qeverisë që të përmbush përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore për krijimin e kushteve të nevojshme për strehimin dhe rehabilitimin e viktimave të krimit, në mënyrë që viktimat e krimit të mos të mbesin në mëshirën e organizatave jo qeveritare për strehim dhe rehabilitim.

“Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial sigurojnë opinionin se janë të vendosur për përmbushjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore lidhur me këtë rast dhe të gjitha rastet e tjera pa përjashtim”, përfundon komunikata.