Kryeministri Albin Kurti, ka folur rreth rastit të vdekjes në rrethana ende të paqarta të aktivistit të VV-së Astrit Deharit.
Ai thotë se atë duhet ta zbulojë prokuroria, dhe se qeveria nuk mund ta bëjë punën e kësaj të parës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, nuk mund ta bëjë edhe prokurorinë edhe gjyqësinë. Prokuroria duhet ta zbardh rastin e shokut tonë të mbytur në burgun e Prizrenit, më 5 nëntor 2016, Astrit Deharit”.
Kurti tutje në seancën plenare në foltoren e Kuvendit, tha se prokuroria nuk është reformuar, edhe pse qeveria e tij mbush katër vjet pushtet në vitin që vjen.
“Prokuroria nuk është reformuar, ne vitin e ardhshëm i bëjmë katër vjet në qeverisje, por KPK-ja është e njëjta aty në krye edhe më tutje me ndikim dhe me funksion është Blerim Isufaj, i cili vrasjen e Dino Hasanajt e shndërroi në vetëvrasje, e vetëvrasjen e Ismet Sopës e shndërroi në vrasje”.