Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke pranuar se ka pasur momente tensioni, por duke theksuar se partneriteti mbetet i pazëvendësueshëm dhe në nivelet më të larta kur bëhet fjalë për sigurinë dhe mbrojtjen.
Kurti e quajti “brengë” ndërprerjen e Dialogut Strategjik SHBA–Kosovë, por tha se marrëdhëniet bilaterale janë shumëdimensionale dhe nuk duhen parë vetëm përmes një çështjeje të vetme.
“Edhe nëse duket se s’kemi marrëdhënie të shkëlqyera në ndonjë moment me ndonjë zyrtar të SHBA-së, kjo s’do të thotë se raportet nuk janë shumë të mira. Marrëdhëniet tona me SHBA janë tridimensionale: zhvillimi, diplomacia dhe mbrojtja. Sa i përket mbrojtjes, kurrë nuk kanë qenë më të mira. Jemi në kulmin e bashkëpunimit,” deklaroi Kurti në Kanal 1o.
Ai përmendi edhe ushtrimin e madh ushtarak Defender 2025, ku Kosova po merr pjesë me 938 ushtarë dhe oficerë, duke qenë një nga 18 vendet nikoqire.
Kurti kujtoi se kritika më e madhe nga SHBA iu drejtua atij në maj 2023, kur kryetarët shqiptarë të komunave në veri hynë në objektet komunale.
“Lexoni tweet-in e ish-sekretarit Blinken. Ajo ka qenë kundërshtimi më i madh që më është bërë. Por megjithatë, ne jemi miq — miqësia e vërtetë nuk ekziston pa kritikë,” tha ai në Kanal 10.
Ai shtoi se çdo mosmarrëveshje ka qenë gjithmonë rreth qasjeve ndaj Serbisë, jo në çështje bilaterale.
“S’mund të pres që SHBA të ketë qëndrimin tonë për Serbinë”, tha ai.
Kurti tha se ndonjëherë Uashingtoni e ka konsideruar qëndrimin e tij ndaj Serbisë si “rigoroz”, por theksoi se Kosova ka përjetuar krime nga Serbia dhe nuk mund të kërkojë nga SHBA të ketë të njëjtën qasje.
“Unë përfaqësoj një popull që e ka përjetuar gjenocidin e Serbisë katër herë. Nuk mund të pres që Shtëpia e Bardhë ta ketë qëndrimin që kam unë për Beogradin,” u shpreh Kurti.
Kurti theksoi disa raste kur Kosova ka reaguar pozitivisht ndaj kërkesave të SHBA-së:pranimin e refugjatëve afganë, heqjen e taksës 10%, pritjen e personave që SHBA nuk i pranon në territorin e saj.
“Veprimet tona kanë qenë ligjore dhe të dobishme – ia ka vlejtur barra qiranë”
Kurti mbrojti vendimet në veri, duke thënë se kanë sjellë rezultate konkrete:uk ka më Bankë Popullore të Serbisë në veri, Nuk ka më Postë të Serbisë, në kemi mbyllur komunat paralele, Nuk ka më kriminelë të mëdhenj të Serbisë në veri.
“Integriteti, sovraniteti, rendi dhe siguria janë të panegociueshme. Për këtë më kanë votuar,” theksoi ai.
Në fund, Kurti tha se pavarësisht kritikave që i janë adresuar, Kosova ka fituar shumë më tepër si shtet.
“Dikush mund të mendojë se Kosova ka humbur diçka, por ajo që ka fituar është shumë më e madhe dhe më e vlefshme.”


