Lajme

Kurti thotë se ka rritur pensionet për 20%: Po punojmë për ligjin e personave të shurdhër

12/29/2024 11:08
nga:G C

Kryeministri Albin Kurti ka theksuar rëndësinë e barazisë dhe bashkëpunimit për një qeverisje demokratike dhe të drejtë, që promovon mirëqenie dhe zhvillim për të gjithë qytetarët, raporton GazetaBlic.

Ai nënvizoi se integrimi përmes punësimit është mënyra më e mirë për të përfshirë çdo kategori shoqërore.

Tutje, Kurti tha se Qeveria ka rritur pensionet për 20%, përfshirë edhe kategoritë e paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve, ndërsa po punohet për ligjin e personave të shurdhër.

E plotë:

Të gjithë jemi të barabartë, pavarësisht dallimeve që mund të kemi. Jemi të gjithë bashkë për një qeverisje demokratike e të drejtë, që promovon mirëqenie dhe zhvillim për të gjithë qytetarët. Vendi ynë, si e përbashkëta jonë, na mban të lidhur e na motivon. Ashtu do të vazhdojmë e punojmë drejt një të ardhmeje më të mirë për secilin prej nesh.

Integrimi përmes punësimit është forma më e mirë e integrimit të secilës kategori shoqërore. Këtë vit Qeveria jonë ka rritur pensionet për 20% edhe për kategoritë e personave paraplegjik dhe tetraplegjikë, ndërsa për herë të parë po iniciojmë ligjin për personat e shurdhër, aktualisht është duke u zhvilluar koncept dokumenti për ofrimin e shërbimeve.

Lëvizja jonë është e të gjithëve, bashkë do të përparojmë edhe me 40 anëtarë të rinj, këtu nga Gjilani, si dëshmi që puna e vazhdueshme na bën më të fortë.