Lajme

Kurti tha se KEK-u ka prodhuar me kapacitet maksimal, reagon Janina Ymeri

01/01/2026 19:17
nga:Mergim Rreci

Kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Janina Ymeri, ka reaguar ndaj deklarimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me prodhimin e energjisë elektrike nga Korporata Energjetike e Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Ymeri ka kundërshtuar pohimin e Kurtit se që nga 19 dhjetori i vitit të kaluar KEK-u ka prodhuar me kapacitet maksimal, duke operuar me pesë njësi gjeneruese. Ajo ka theksuar se gjatë kësaj periudhe ka pasur dy herë rënie të njësisë B1, ku sipas saj nuk ka pasur fare gjenerim të energjisë elektrike, transmeton Klankosova.tv.

“Albin Kurti nuk po e thotë të vërtetën kur po thotë ‘Që nga 19 dhjetor i vitit që sapo lamë pas, KEK-u është duke prodhuar me kapacitetin maksimal të saj, me 5 njësi gjeneruese’. Dy herë ka pas rënie B1shi me zero gjenerim, rrena mund të jetë normale për Kurtin por të dhënat janë ndërkombëtare edhe kjo Kosovë meriton të di çfarë ka pas posteve plot lëvdata për vete”, ka shkruar ajo.

Ajo, po ashtu ka ngritur pyetje për mungesën e investimeve të huaja dhe koston e lartë të bartjes së energjisë elektrike.

“Pse me Tetra (Grekët) nuk keni pru investim po e shtritë qafën e Kosovës me bartje për mbi 1 Milionë Euro të rrymës në ditë. Edhe sot, bartja nga Maqedonia ka shku mbi 30,000 Euro në rrymë, përderisa ti po flet për suksese”.