Lajme

Kurti takon përfaqësues nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës

20 ditë më parë
nga:N K

Mëngjesin e sotëm, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti në takim përfaqësues nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, bashkë me Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Së pari, kryeministri e përgëzoi Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe aktivisten Feride Rushiti për suksesin e nominimit për Çmimin Nobel për Paqe, nominim, i cili u bë nga deputeti i Parlamentit suedez, Magnus Jacobsson. Kryeministri shprehu gatishmërinë për mbështetjen e parezervë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për këtë nominim.

Këtij urimi dhe gatishmërie për përkrahje, iu bashkua edhe ministrja Haxhiu, e cila theksoi se ky nominim vjen si pasojë e punës së madhe të organizatës dhe përfaqësuesve të saj për adresimin e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, si dhe shtoi rëndësinë e vazhdimit e fuqizimit të bashkëpunimit të Ministrisë së Drejtësisë me Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.

Në vijim, kryeministri vlerësoi punën e çmueshme të QKRMT-së, duke veçuar rëndësinë e grumbullimit të bazës së të dhënave dhe dëshmive të të mbijetuarve të torturës e dhunës gjatë luftës në Kosovë.