Lajme

Kurti takon ministren e Arsimit të Bosnjës, diskutohet mundësia e shkëmbimit të stafit mësimdhënës

09/24/2024 19:20
nga:Sh R

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën ka takuar ministren Federale të Arsimit dhe Shkencës të Bosnjë dhe Hercegovinës, Jasna Durakoviq.

Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, Kurti Durakoviq kanë diskutuar mbi nevojën e bashkëpunimit më të ngushtë ndërmjet dy vendeve tona, jo vetëm në fushën e arsimit, por edhe në fushat e tjera me interes të përbashkët.

Në takim, sipas njoftimit, është diskutuar mundësia e shkëmbimit të stafit mësimdhënës, si dhe krijimi i komisioneve të përbashkëta që do të ndihmonin në përmirësimin e cilësisë së teksteve shkollore në gjuhën boshnjake.

“Gjatë bashkëbisedimit, kryeministri theksoi të arriturat tona në fushën e arsimit gjatë këtij mandati qeverisës, me theks të veçantë në arsimin publik falas, por edhe përkushtimin e Qeverisë në barazinë mes të gjitha komuniteteve dhe qasjes së barabartë pa dallim, duke potencuar procesin e subvencionimit të librave për të gjithë fëmijët”, thuhet në njoftim.

Ai ka thënë se janë gjithsej 2670 nxënës të komunitetit boshnjak që vijojnë mësimin nga arsimi parashkollor e deri te ai i mesëm dhe i lartë, ndërsa numri i mësimdhënësve boshnjak është 486 në tërë Republikën e Kosovës.

Durakoviq, u shpreh e lumtur që ndodhet në Prishtinë dhe vlerësoi bashkëbisedimin me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministren Rexhepi, si dhe shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e saj për rritjen e bashkëpunimit.

Nga ana e tij, kryeministri i dëshiroi ministres qëndrim të frytshëm e produktiv në Kosovë, teksa e falënderoi atë për bisedën e sotme.