Ambasadori i ri i Italisë në Kosovës, Maurizio Antonini u takua sot me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Ambasada e Italisë në Kosovë thotë se Antonini diskutoi me Kurtin edhe për zhvillimet e fundit dhe mënyrat për ta forcuar më tej partneritetin.
“Ambasadori Antonini u takua me Kryeministrin Albin Kurti, i cili e mirëpriti atë në detyrën e re dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë për Kosovën, veçanërisht përmes KFOR-it. Ata diskutuan zhvillimet e fundit dhe mënyrat për të forcuar më tej një partneritet tashmë të shkëlqyer”, thuhet në njoftim.
Zyra e Kryeministrit, ndërkaq, nuk përmendi “zhvillimet e fundit”, ndërsa njoftoi për takimin.
“Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim mirëseardhës Ambasadorin e ri e Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini. Në këtë takim të parë, ai e uroi ambasadorin për detyrën e re, teksa vlerësoi lartë kontributin e vazhdueshëm të Italisë për vendin tonë. Gjatë bisedës u nënvizua partneriteti i fortë ndërmjet dy vendeve, veçanërisht roli i rëndësishëm i Italisë në mbështetjen e paqes dhe sigurisë përmes kontributit të saj në misionin e NATO-s, KFOR. U diskutua gjithashtu për nevojën dhe mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral, me fokus në fushën e ekonomisë, sigurisë e mbrojtjes dhe shkëmbimeve kulturore”, thuhet në njoftim.
ZKM-ja tha se “kryeministri shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Italisë në integrimin euroatlantik të Republikës së Kosovës”.