Lajme

Kurti takohet me senatoren që e kishte vizituar Kosovën pas sulmit në Banjskë: Radoiçiq vazhdon të jetë i lirë në Serbi

09/30/2025 19:51
nga:Genita C

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është takuar me senatoren demokrate nga New Hampshire, Jeanne Shaheen, gjatë vizitës që po zhvillon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas ZKM’së, temat për të cilat është diskutuar janë marrëdhëniet bilaterale, zhvillimet e fundit në vend, progresi ekonomik, investimet në mbrojtje, përmirësimi në siguri dhe sundim të ligjit

“Kryeministri veçoi bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes, vendimin e Qeverisë për heqjen e tarifës doganore ndaj të gjitha produkteve me origjinë nga ShBA-ja dhe vazhdimin e programit Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit për Kosovën nga administrata e re amerikane, si zhvillimet kryesore dhe me interes të përbashkët në kuadër të raporteve dypalëshe Kosovë-ShBA. Diskutuan edhe për mundësitë që vendi ynë ofron për kompanitë dhe investitorët amerikanë”, thuhet në njoftim.

Ata kanë folur edhe për sulmin terrorist në Banjskë, ku Kurti ka thënë se kryeterroristi Millan Radojiç vazhdon të jetë i lirë në Serbi.

“Senatorja Shaheen kishte vizituar vendin tonë pas sulmit terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit dhe ka bërë thirrje të vazhdueshme për arrestimin e Millan Radoiçiq – i cili, siç theksoi kryeministri, edhe dy vjet pas sulmit dhe pranimit të fajësisë vazhdon të jetë e të lihet i lirë në Serbi”, thuhet në vendimin e ZKM’së.