Në kuadër të Forumit Ekonomik të Delfit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti zhvilloi takim me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák.
Zyra për kryeministrin njofton se Kurti foli për angazhimin në një vit qeverisje dhe rikonfirmoi, që integrimet evropiane dhe euroatlantike nuk kanë alternativë.
Siç vijon tutje komunikata Kurtik ka potencuar domosdoshmërinë e ndihmës së Bashkimit Evropian në këtë rrugëtim.
“Në takim u bisedua për mbarëvajtjen e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe hapat e ardhshëm në këtë proces. Kryeministri theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar për dialog parimor e të balancuar. Ai ritheksoi se nga ky dialog duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke”, shkruhet në njoftim.
ZKM-ja bënë të ditur se Kurti dhe Lajçak kanë biseduar për çështjen e targave të automjeteve midis Kosovës dhe Serbisë.
“Kryeministri veçoi faktin se jemi dy javë larg afatit për marrëveshje për këtë çështje, bazuar në standardet dhe praktikat aktuale më të mira të Bashkimit Evropian”, shkruhet në njoftim.
“Duke e falënderuar për angazhimin dhe mbështetjen e Bashkimit Evropian për dialogun, kryeministri shprehu mirënjohjen për kontributin, që po e japin edhe sa i përket raportit midis Kosovës dhe Serbisë, paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë rajonale. Në takim, gjithashtu u diskutua për invazionin dhe agresionin e paprovokuar ushtarak rus në Ukrainë dhe ndikimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Evropë”, përfundon komunikata e KPK-së.


