Zyrtari i PDK-së, Betim Gjoshi, ka thënë se mijëra aktivistë të VV-së kur duan të aplikojnë për ndonjë vend pune, nuk mund ta marrin dokumentin.
Kjo pasi janë të ndjekur për ndonjë vepër penale, pasi ministri Sveçla nuk ua jep atë, pasi janë duke u ndjekur penalisht për sulmin ndaj institucioneve të vendit, kur kanë protestuar kundër Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë Kosovë – Serbi, raporton Gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se Kurti, Sveçla e të tjerë që e kanë sulmuar Kosovën, nuk do ta pastrojnë kurrë fytyrën e tyre, derisa ia kanë humbur Kosovës një dekadë dhe kanë gënjyer e mashtruar qytetarët se po nënshkruhen akte tradhtie, ndërsa sot Gjoshi thotë se ata po e shpallin veten heronj duke mbrojtur të njëjtat “tradhti”.
Postimi i tij i plotë:
A e dini se mijëra aktivistë të Vetëvendosjes kur duhet të aplikojnë për ndonjë vend pune duhet të shkojnë në Policinë e Kosovës (Ministrinë e Brendshme) për ta nxjerrë dokumentin se nuk janë duke u ndjekur për ndonjë vepër penale?
Në ato momente, Xhelal Sveçla iu thotë nuk mund t’ua japim dokumentin e pastërtisë, sepse po ndiqeni penalisht për sulm ndaj institucioneve dhe personave zyrtarë kur keni protestuar kundër Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë Kosovë – Serbi.
Albin Kurti e Xhelal Sveçla, bashkë me të tjerë që duke sulmuar Kosovën janë bërë edhe ministra, nuk do ta pastrojnë kurrë fytyrën e tyre. Ata do të mbahen mend si njerëzit që ia kanë humbur Kosovës një dekadë. Gjatë kësaj kohe ata kanë mashtruar e gënjyer qytetarët e Kosovës duke iu thënë se po nënshkruhen akte tradhtie kundër Republikës së Kosovës, kurse sot e shpallin veten heronj duke mbrojtur të njëjtat “tradhti”.


