Cult

Kurti: “Sunny Hill” u mbajt në Prishtinë, aty ku e ka vendin

08/07/2022 18:18
nga:Gazeta Blic

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në zyrë këngëtaren me famë botërore Dua Lipa.

Kurti e ka falënderuar Dua Lipan për promovimin e vlerave të Kosovës kudo në botë.

Kurti ka thënë se festivali “Sunny Hill” e ka vendin në Prishtinë, ndërsa ai i shton shije jetës kulturore të Kosovës.

“U mbajt në Prishtinë, aty ku e ka vendin. Kosova shkëlqen ndryshe me Sunny Hill dhe vajzën tonë të artë, Dua Lipa, të cilën sot e prita në Kryeministri. Vendi ynë po shënon një nga vitet më të suksesshme kulturore në historinë e tij. Duan e falënderova për përfaqësimin e bukur e dinjitoz dhe promovimin e vlerave të Kosovës kudo në botë. Zëri, muzika e kënga e saj, na kanë bërë shumë më të njohur dhe mirënjohur anembanë. Kontributi që ajo jep për Kosovën është i pamatshëm. Festivali “Sunny Hill” i shton shije jetës së pasur kulturore të shtetit tonë. Pas katër ditë performancë muzikore me emra të njohur ndërkombëtarë dhe vendorë, është momenti t’u themi faleminderit Duas dhe gjithë ekipit për punën dhe promovimin që i bënë Kosovës. Sunny Hill është edhe dobi për ekonominë lokale, ndërsa sivjet edhe mbështetje ndaj angazhimeve shtetërore për liberalizimin e merituar të vizave për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Kurti në Facebook.