Kryeministri Albin Kurti, gjatë fjalës së tij në samitin “The Western Ballkans”, tha se vendi ynë nuk ka probleme me serbët e Kosovës, por me qeverinë e Beogradit.
Siç tha ai, Beogradi nuk u distancua nga Millosheviqi i së kaluarës e as nga Putini i së tashmës.
“Po shqiptarët janë pothuajse 93 për qind e popullsisë, por kemi 4 për qind serbë dhe kemi pakica të tjera që duam t’i respektojmë, boshnjakë, turq, pastaj romë, ashkali dhe egjiptas e disa malazez e kroatë. Duam të bashkëpunojmë mirë me të gjithë, duam të krijojmë Republikë demokratike dhe bazë të qytetarëve. Nuk mendoj se ka ndarje etnike, por barrierë gjuhësore. Problemet që kemi nuk kanë të bëjnë me serbët, por me Beogradin që nuk u distancua nga Millosheviqi i së kaluarës e as nga Putini i së tashmës. Është me fqinjin tonë, jo si popull, por si qeveri, si regjim. Aspak me serbët e Kosovës në komunat e veriut. Ata po integrohen”, tha shefi i qeverisë.
Kurti tutje tha se po bëhet verifikimi i diplomave të Universitetit në veri, i cili siç tha ai, është ilegal.
“Megjithëse është ilegal, po gjejmë mënyra për t’i pranuar ata në tregun tonë të punës. Këto diploma nga Universiteti në veri po verifikohen dhe po funksionalizohen për Kosovën”, tha kryeministri.