Lajme

Kurti: S’kemi pasur asnjëherë më shumë mbështetje nga populli, rezultati i shkurtit 2021 duhet të tejkalohet

09/15/2024 23:46
nga:Lorik J

Kryeministri Albin Kurti sot në mbledhjen e IV-të të Këshillit, organit më të lartë të strukturës së GVV-së, ka folur për zgjedhjet e 9-shkurtit.

Ai ka thënë se VV nuk ka pasur asnjëherë më shumë mbështetje nga populli sesa tani, dhe sipas tij rezultati i shkurtit 2021, duhet të përsëritet, e të tejkalohet, shkruan Reporteri.net.

“Për herë të parë në Kosovën e pavarur kemi një qeveri që po e çon mandatin deri në fund. Kjo është qeverisja jonë, qeverisja e VETËVENDOSJE!-s. Jemi votuar aq masivisht në shkurtin 2021, sa nuk ka arritur askush asnjëherë më parë një rezultat aq të thellë e të lartë, sa me të drejtë e kemi quajtur asokohe: referendum!”

“Tani për të dalë te zgjedhjet që kemi përpara: nuk kemi pasur asnjëherë më shumë kohë për t’u përgatitur për zgjedhje se sa tani. Nuk kemi pasur asnjëherë më shumë mbështetje nga populli sesa tani. Andaj edhe rezultati i shkurtit 2021, duhet të përsëritet, e të tejkalohet”.

“Më 9 shkurt do të mbahen zgjedhjet parlamentare. Kur vjen puna te Parlamenti e Qeveria, lirisht mund të krenohemi me përparimin që Kosova ka pasur. Kosova ka presidente grua, dy zëvendëskryeministre gra, pesë ministre gra dhe 40% të deputetëve të Grupit Parlamentar të LVV janë gra, e që u zgjodhën pa kuotë, secila prej tyre!”, ka thënë Kurti.