Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë një diskutimi publik në The New School në SHBA, tha se nuk ka hezituar të kritikojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese kur i ka konsideruar të gabuara apo hipokrite, raporton GazetaBlic.
Ai e quajti këtë një detyrë si zyrtar publik dhe si aktivist politik.
Kurti theksoi se vendimi që ndaloi kufizimin e fitimit për mallrat bazë ishte më i dhimbshmi për të gjatë katër viteve të fundit, pasi, sipas tij, ka dëmtuar qytetarët më të cenueshëm në Kosovë.
“Nuk kam ngurruar të kritikoj vendimet e Gjykatës Kushtetuese kur besoj se ato janë të gabuara, ose edhe hipokrite si në këtë rast. E shoh këtë si detyrën time jo vetëm si zyrtar publik, por si një aktivist politik i përjetshëm, i rritur në traditën e kritikës së hapur dhe demokratike. Mund të them pa dyshim se asnjë vendim gjyqësor në katër vitet e fundit nuk ka qenë më i dhimbshëm për mua sesa ai që ndalonte kufizimet e fitimit për mallrat bazë, sepse u ka shkaktuar shumë dëm qytetarëve dhe familjeve më të cenueshme të Kosovës”, tha Kurti.


