Lajme

Kurti shkon për ngushëllime te familja e Mujë e Ali Krasniqit

12/30/2024 15:56
nga:N K

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkuar sot për ngushëllime në familjen e heronjve Mujë e Ali Krasniqi për vdekjen e nënës Shehide Krasniqit.

Kurti ishte i shoqëruar nga kandidatja për deputete nga Klina, Teuta Mulaj.

Ajo vetë mbante emër me kuptimin “dëshmore”, kurse Kosovës ia rriti dy djem që ranë dëshmorë. Shehide Selimi – Krasniqi e cila vdiq dje, ishte nëna e dëshmorëve Ali dhe Mujë Krasniqi.
“Për nderim të nënës Shehide Selimi – Krasniqi, isha për ngushëllime në Çabiq të Klinës. Çdo nënë dëshmori, është burimi i parë i edukimit për çdo luftëtar të ardhshëm të lirisë. Bijë e familjes Selimi nga Aqareva, Shehideja ia dha dy djem dëshmorë lirisë së Kosovës, Mujën dhe Aliun, duke e përlartësuar përkushtimin patriotik ndaj atdheut, përcjellë ndër breza nga familje me edukim të këtillë, si familja e bacit Halil dhe nënës Shehide”, shkroi Kurti, përcjell GazetaBlic.