Lajme

Kurti s’flet për kritikat e ndërkombëtarëve për Ligjin për Specialen, njofton se ka takim me Presidenten

10/08/2026 11:21
nga:Genita C

Kryeministri Albin Kurti nuk ka folur për kritikat e ndërkombëtarëve lidhur me ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, teksa ka bërë të ditur se sot do ta takojë presidenten Justina Shiroka-Pula.

“Kam takim në orën 11:00 te presidentja”, tha shkurt Kurti para gazetarëve, por nuk ka treguar se për çka do të bisedojnë me të presidenten Shiroka – Pula.

Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë nxitur kritika nga partnerët ndërkombëtarë. Bashkimi Evropian dhe Gjermania kanë shprehur shqetësim, duke vlerësuar se ndryshimet mund të prekin pavarësinë e Gjykatës Speciale dhe të bien ndesh me obligimet ndërkombëtare të Kosovës. Edhe vetë Specialja ka bërë të ditur se nuk është konsultuar për këto ndryshime.