Lajme

Kurti sërish me lojëra fjalësh: S’do ta imagjinoja bashkimin me Shqipërinë duke shkaktuar luftë

11/24/2021 13:06
nga:M K

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk do ta imagjinonte asnjeherë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë duke shkaktuar luftë për të.

Ai ka thënë se të gjithë shqiptarët do ta dëshironin bashkimin kombëtar, por që jo si diçka që është kundër dikujt, pra që orientohet kundër një populli të caktuar.

“Në rastin e Kosovës dhe Shqipërisë unë kurrë nuk do ta imagjinoja bashkimin tonë duke shkaktuar luftë për ta bërë atë ose për të shkaktuar konflikte jo demokratike të çfarëdo lloji. Për këtë çështje, do të doja që ta theksoj faktin që Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk është menduar asnjëherë si pavarësi nga Shqipëria, por si çlirim nga Serbia dhe ne kurrë nuk do ta harrojmë këtë. Pra, të gjithë shqiptarët që do ta dëshironin këtë bashkim, ai asnjëherë nuk është kundër dikujt tjetër dhe nuk është asnjëherë qëllimi që të na bëjë neve më të mëdhenj, por për të kontribuuar në mirëqenie dhe liri, pra, si shprehje e lirisë, jo si shprehje e agresionit. Si kryeministër, në këtë mandat, siç keni theksuar ju, unë kam fituar me “biletën” për punë dhe drejtësi dhe këto janë prioritetet e mia të para dhe më të rëndësishmet”, ka thënë Kurti.

Kurti në Vjenë ka folur edhe për hapjen e zyrës tregtare dhe kulturore të Spanjës në Prishtinë, teksa u shpreh i bindur se ky shtet do të lëviz në drejtimin e Sllovakisë dhe Greqisë duke njohur pasaportën e Kosovës.

Kryeministri nga kryeqendra austriake foli edhe për Marrëveshjen e Uashingtonit, për të cilën tha se ka elemente pozitive, siç është njohja nga Izraeli.

“Sa i përket Marrëveshjes së Ëashingtonit, ka shumë elemente në atë marrëveshje nuk them që asnjë nga to s’është e mirë, përshembull njohja reciproke me Izraelin është pozitive, por përsëri më duhet të them se angazhimet bilaterale të Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator të vitit të kaluar ishte më shumë lëvizje taktike e administratës Trump para zgjedhjeve atje. Ishte menduar që të ndërtohet diçka e qëndrueshme për një të ardhme afatgjatë. Unë e shoh në ato pikat e marrëveshjes një përpjekje për rregullim të shpejt që do të ndihmonte në imazhin ndërkombëtar dhe politikën vendore të ish-presidentit sesa ishte për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë për të lëvizur përpara”, tha Kurti.

Kurti këto komente i bëri në institutin austriak Karl-Renner në Vjenë.