Lajme

Kurti: Serbia burim i kërcënimit të paqes dhe sigurisë, dje ka shkelur një grumbull marrëveshjesh

04/18/2024 11:17
nga:G B

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se me veprimin e djeshëm, Serbia ka shkelur një grumbull marrëveshjesh të arritura ndër vite në Bruksel. Këtë shtet, Kurti e konsideron si burim të kërcënimit të paqes dhe sigurisë në rajon.

Kreu i ekzekutivit, ka thënë se Serbia është hakmarrë pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e miratoi rekomandimin e raportueses Dora Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

“Rezultati i cili u morr të martën në Asamblenë Parlamentare në KIE ishte një sukses i jashtëzakonshëm për Kosovën për dy arsye kryesore: e para e mbylli etapën me të rëndësishme për interesim, e dyta ne arritëm 82 për qind të votave. Për këtë edhe një herë nga kjo sall dua ta falënderoj ministren Donika Gërvalla. Nga anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë përfitues do të jenë qytetarët. Dje Serbia u hakmor, ndaloi në kufi qytetarë tanë që Serbinë e shfrytëzonin si transit. Në mesin e ndaluarve dhe të arrestuarave ishe edhe zëvendësdrejtori serb në Kosovë. Dejetori Jakoviq është dërguar në Rashkë”, ka thënë Kurti.

“Dje në ndalim kanë qenë gjithsej 10 pjesëtarë të Policisë së Kosovë, përfshirë serb edhe shqiptar, 5 janë liruar dhe 5 janë në mbajtje. Veprimi i Serbisë është akt i ulët i hakmarrjes për anëtarësimin e Kosovës. Me veprimin e djeshëm, Serbia ka shkelur një grumbull marrëveshjesh. Serbia është burimi i kërcënimit të paqes e sigurisë në rajon. Ajo ka rreshtim me federatën ruse të cilën nuk e ka sanksionuar. Ndalimi u bë dje në përkujtimin e masakrave në Poklek e Qikatovë”, u shpreh Kurti.