Në seancën plenare të mbajtur dje, kryeministri i vendit, ka folur në lidhje me Draft-Statutin e Asociacionit dhe takimin e Brukselit.
Megjithëse pati kërkesa nga partitë opozitare të bëhej publik Drafti, një gjë e tillë nuk u bë e mundur nga kryeministri Kurti.
Ai deklaroi se i është kërkuar nga emisarët që mos ta bëjnë publik, për njëfarë kohe, Draftin e Asociacionit.
“Unë e kuptoj kërkesën e juaj që ta shihni draftin. Kryeministër kallzonani draftin. Emisarët evropianë më thanë mos me e tregu draftin. Tash a me koordinim a pa koordinim, qysh po doni, se jam në hall me juve. Ata më thanë atë draft mos ja kallzoni qytetarëve, unë e kom nda me presidenten e shtetit” deklaroi Kurti raporton Gazeta Blic.
Zëdhënësi për media i PSD-së, Bardh Ahmeti, tha për “Gazeta Blic” se që nga fillimi i negocimit e deri tek secila marrëveshje e arritur nga kryeministri Kurti, ka qenë një proces plotësisht jo-transparent.
“Qysh nga fillimi i negocimit e deri tek secila marrëveshje e arritur e Kurtit, kemi hasur në një proces plotësisht jo-transparent.E kjo i ka konvenuar Kurtit në dy rrafshe. Fillimisht, ai e ka zbutur dëmin që e ka bërë duke pranuar koncesione duke u shitur si parimor e këmbëngulës, ani pse këmbëngulësia e tij ishte strategji e dështuar pasi që marrëveshjet që i ka arritur janë shumë të dëmshme sesa më herët.Së dyti, Kurtit i duhet të ndryshoj diskutimin në publik për dështimet e tij, pas çdo marrëveshjeje, nuk pasonte diskutimin se çfarë ka pranuar, por, a ka pranuar koncesion apo jo” deklaroi Ahmeti për “Gazeta Blic”.
Ai tutje shtoi se Kurti ka pranuar një Asociacion të dëmshëm për Kosovën dhe ka krijuar status-quo të re .
“Prandaj dhe sot kemi mos publikim të draft statutit. Veç për të ka kuptim të thuash që edhe se ka pranuar draftin edhe është i gatshëm ta nënshkruaj. Çka janë më të rëndësishme sesa bishtnimi i fjalëve që bënë, janë veprimet e tij. E veprimi i tij është ky: Kurti ka pranuar Asociacion të dëmshëm për Kosovën dhe ka krijuar status-quo të re me konflikte e tensione të reja në horizont” deklaroi Ahmeti në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic”
Bardh Ahmeti, PSD
/Gazeta Blic/
Kurti, opozitës: Jam në hall me juve, emisarët më thanë mos t’ua tregoj draftin e Asociacionit