Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk beson se do të ketë një takim të shpejtë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të paktën jo në muajin tetor në kuadër të dialogut.
Sipas tij para çdo takimi, do të ketë takim të kryenegociatorëve, pas të cilave do të tregohet se nëse priten të ketë takime në nivele më të larta.
Kurti: S’do të ketë takim në tetor me Vuçiq
“Paraprakisht çfarëdo takimi të udhëheqësve të Serbisë në njërën anë dhe meje si kryeministër i Republikës, në anën tjetër, do të ketë takim të përfaqësuesve të qeverive tona, përkatësisht të kryenegociatorëve dhe ky takim më pastaj do të tregoj se kur mund të priten takime të tjera, por nuk besoj që do ketë takim shumë shpejt që do thotë se jo në muajin tetor ndërmjet meje dhe presidentit të Serbisë në Bruksel nën ndërmjetësimin e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë, presidentit të Komisionit Evropian Josep Borrell”, tha Kurti.
Shefi i ekzekutivit ka hedhur poshtë akuzat serbe se pala kosovare nuk po tregohet konstruktive në procesin e dialogut.
Kurti: Nuk i kemi neglizhuar takimet dhe bisedimet në Bruksel
“Nuk i kemi neglizhuar takimet dhe bisedimet në Bruksel, kemi shprehur gjithmonë gatitshmërinë konstruktive për dialog, mirëpo çështja e dialogut nuk është e drejtë që ta zëvendësojë as luftimin e pandemisë COVID-19, as zellin e madh të dikastereve për rritje ekonomike dhe as luftën e pa kompromis kundër korrupsionit dhe për një sistem të mirëfilltë të drejtë, çfarë e ka BE-ja. Pra, nuk e neglizhojmë dialogun, por në anën tjetër e kemi agjendën tonë prioritare dhe shtetërore, e cila është në përputhje me zotimet tona për çfarë na kanë votuar qytetarët”, tha Kurti.
Këto komente shefi i Ekzekutivit i bëri pas marrjes së Raportit të Progresit për vitin 2021 nga shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog.